Lajmi i fundit është nga ato që mund të lumturojë shumë abonentë të Digitalb, pasi sot pas mesdite duket se është zgjidhur ngërçi mes Federatës Shqiptare të Futbollit dhe kompanisë Digitalb për sa i përket sinjalit të transmetimit të ndeshjeve të Kategorisë Superiore, pasi Partizani-Luftëtari një ditë më parë u përcoll në kanalin Youtube të FSHF!
Ishte “SuperSport” ai që në kanalin “SS1”, saktësoi se sot teleshikuesit mund të ndjekin 4 takimet e radhës së javës.
Federata akuzonte Digitalb se prej thuajse 2 vitesh nuk kishte parë qoftë edhe një këst të të drejtave televizive, që shkojnë te 300 mijë eurot për sezon. Qeveria e futbollit kishte pranuar edhe rrugën e mesme, pra gjithçka e ndarë në këste.
Madje, sot, federata ishte përgatitur edhe me stafin e saj për të transmetuar 4 ndeshjet e javës së 29-të, por ato do të jepen në Supersport!
/a.r