Pandemia e Covid-19 paralizoi për 2 muaj gjysmën e aktivitetit ekonomik të vendit. Një studim i Këshillit të Investimeve konstaton se 47% e ndërmarrjeve në Shqipëri ndaluan plotësisht aktivitetin gjatë masave bllokuese në muajt Mars, Prill dhe pjesërisht në Maj.
Një studim i bërë nga Këshilli i Investimeve tregon se nga të gjithë sektorët e ekonomisë, më i prekuri rezulton të jetë turizmi, ¾ e bizneseve në këtë industri patën një mbyllje totale, ndërsa e vetmja degë që vazhdoi punën është bujqësia.
Pothuajse të gjitha ndërmarrjet në Shqipëri presin që efektet e pandemisë të jenë shumë negative për aktivitetin e tyre. Në anketimin e Këshillit të Investimeve, rezulton se 97% e sipërmarrjeve janë përgjigjur se mbyllja e ekonomisë për shkak të Covid-19 i ka përkeqësuar biznesin.
Të vetmit që janë shprehur optimistë, janë një pjesë e vogël e bizneseve në sektorin e bujqësisë. Pavarësisht nga madhësia apo lloji i sektorit, të gjitha kompanitë raportojnë se presin që të kenë minimalisht 20% rënie të xhiros vjetore këtë vit.
Problematikat më të mëdha që po hasin sot bizneset janë mungesa e klientëve dhe kërkesës konsumatore, likuiditeti në kompani dhe vështirësi në dhënien e pagave për punëtorët.
/Klan/a.r