Nga Dritan Hila
Ka vite që është bërë e modës ndarja në socialistë dhe rilindas; në të Ramës dhe të Nanos. Sidomos tani, një vit para zgjedhjeve të përgjithshme. Është një tezë që e flasin socialistë që nuk janë pjesë e tortës, si dhe demokratë, ku këta të fundit më shumë për përçarje, sesa u hap barku se ku janë socialistët. Por duke e ditur që nuk fitojnë vetëm nëse përçahet e majta, nuk lodhen së investuari në këtë fushë.
Në fakt historia e Ramës është historia e zakonshme e atij që vret mbretin për t’u bërë vetë mbret. Përkrahu Nanon sa ky kishte në dorë karrierën e tij, për t’u hedhur nga karroca kur kjo po ikte pa frena; mori PS-në me përkrahjen e njerëzve të Nanos të cilët mendonin ta përdornin, për t’i eliminuar pastaj një e nga një; forcoi lidershipin e tij në PS duke vendosur në pozita kyçe njerëzit e tij duke bërë në këtë mënyrë edhe transfuzionin e gjakut dhe zëvendësimin e një brezi që ishte persekutuar nga Berisha, por edhe përfituar nga PS-ja.
Sot Rama është i vetëm në komandë të partisë. PS-ja duam apo jo, ka fytyrën e Ramës. Rama është udhëheqësi më afatgjatë i kësaj partie, më shumë edhe se Nano dhe ka arritur ta plazmojë. Ka ditur të mbajë edhe ekuilibra duke mos lënë pa gjë socialistët e vjetër, por ku pjesën e luanit e kanë njerëzit e tij.
Është e vërtetë që PS-ja nuk është PD-ja, ku që nga Basha e deri te roja i derës rrinë sus para Berishës, apo ku nga më të pjekurit e deri te kastravecët, kërkojnë të rriten nën diellin e Berishës dhe i bëhen urë çdo gafe e mufke të plakut, pasi e dinë që vetëm ai e luan traun. Por për momentin në PS është thjesht heshtje. Nuk mund të dalin kundër njeriut që me shumë gjasa po i çon drejt mandatit të tretë; ku mirë apo keq, nuk do t’i hedhë njeri rrugëve. Nuk kanë arsye.
Sa i takon atyre që ofshajnë se Rilindja nuk përfaqëson socialistët e vërtetë, është thjesht muhabet kafeneje dhe fejsbuku. Janë si ofshamat e komunistëve që në ’91-shin dhe ’92-shin votonin PS-në, megjithëse ajo nuk kishte asgjë të përbashkët me partinë ku kishin aderuar me grushtin lart, e votonin dhe votojnë në rresht.
Ndaj kush beson se pakënaqësitë brenda të majtëve do të jenë një faktor që do të rrëzojë Ramën nga pushteti, e rren mendja. Të majtët e dinë që në bregun tjetër nuk i pret kush, por kanë nxjerrë lugët nga brezi për t’iu zënë vendet e punës. Këtë radhë janë të qartë. Nuk do të përsërisin gabimin e 2005-ës. Pavarësisht pakënaqësive, e djathta për të ardhur në pushtet duhet të kërkojë vota diku tjetër. Pasi majtas është tokë e xanun.
Koment teper i sakte per PS
Bravo, nuk i heq asnje presje. E sakt