Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ditën e sotme ka zhvilluar një takim me një grup maturantësh në Berat, ku u shpreh se do të ketë 100% bursë për studentët që familjet e tyre kanë më pak të ardhura se 64 mijë lek.
Statusi i Bashës:
Kënaqësi të bisedoja dhe ndaja mendime me maturantët e Beratit për provimet e maturës dhe pengesat, ëndrrat e planet e tyre për të ardhmen.
Maturantët më treguan vështirësitë me të cilat përballen, problematikat e mëdha që shoqëruan këtë vit, paqartësitë, pamundësia për të realizuar mësimin online e deri tek niveli i lartë i vështirësisë së provimeve.
Shumë prej gjimnazistëve janë të paqartë për të ardhmen e tyre ndërsa vështirësitë ekonomike për të përballuar arsimin sa vijnë e shtohen.
Qeveria Rama po e bën çdo ditë e më të pamundur për maturantët të vazhdojnë studimet e larta.
Kjo situatë duhet dhe do të marrë fund. Me mua dhe PD asnjë nxënës nuk do të privohet nga e drejta për arsim për shkak të pamundësisë ekonomike.
Familjet e studentëve me të ardhura më pak se 640 mijë lekë të vjetra në muaj do të përfitojnë subvencion 100% të tarifës. Familjet me të ardhura mbi 640 mijë lekë të vjetra në muaj do të paguajnë gjysmën e tarifës. Për studentët në pamundësi, buxheti i shtetit do të mundësojë bursa dhe mbështetje financiare.
Ne do ta dyfishojmë buxhetin dhe do të anulojmë Ligjin e Arsimit të Lartë, do të ofrojmë stazhe për 10 mijë studentë çdo vit.
Bashkë me të rinjtë e të rejat e këtij vendi do të ndërtojmë një qeverisje normale që ofron mundësi për arsim cilësor, punësim e nje jetë normale me mundësi dhe dinjitet për të gjithë.