Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi t’i ndërpresë Ardian Dvoranit vijimin e ushtrimit të detyrës në Gjykatën e Lartë.
Dvorani largohet në këtë mënyrë edhe nga kryesimi i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, post që pritet ta marrë Vitore Tusha.
Gjatë shqyrtimit, anëtarja Marcela Shehu tha se Dovranit i ka përfunduar detyrimi për të pritur pasardhësin.
Sipas saj, qëndrimi në detyrë mbi afate cenon parimet Kushtetuese. Mendim pro përfundimit të detyrës së Dovranit ka shfaqur anëtari Alban Toro, sipas të cilit Këshilli duhet të konstatojë përfundimin e detyrimit të Dvoranit për të qëndruar në Gjykatën e Lartë.
Ndërsa anëtarja Brikena Ukperaj deklaroi në mbledhje se detyrimi i Dvoranit për të mbajtur detyrën e gjyqtarit të Lartë nuk ka mbaruar, por mbaron në momentin e zgjedhjes së anëtarit të katërt që vjen nga radhët e juristëve të spikatur.
Anëtarja e Këshillit, Brunilda Kadi, deklaroi në mbledhje se Dvoranit i ka përfunduar detyrimi për të qëndruar në Gjykatën e Lartë.
Anëtari Erjon Muharremaj vlerësoi se në kushtet kur janë emëruar 3 gjyqtarë, mendon se Dvorani e ka përmbushur detyrimin e tij për te qëndruar në detyrë. Sipas tij, KLGj duhet t’i ofrojë mundësi për një pozicion në Apel.
Në fund të debateve, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi me 6 vota pro dhe 4 kundër mbarimin e mandatit të Dvoranit.
/a.r