Gjykata Federale e Zvicrës ka konfirmuar se çështja “Skënderbeu” është në proces gjykimi, por janë treguar hermetikë sa i përket zhvillimeve të fundit për rastin në fjalë. “Panorama Sport” i dërgoi e-mail Gjykatës federale, e cila në përgjigjen e saj ka konfirmuar se dosja “Skënderbeu” është në proces, por ka evituar të japë detaje rreth kohës kur do të merret vendimi.
“I nderuar zotëri, ne ju falënderojmë për emailin tuaj të datës 4 qershor 2020. Gjykata Supreme Federale e Zvicrës nuk jep asnjë informacion në lidhje me statusin aktual dhe/apo kohëzgjatjen e procedurave të saj gjyqësore. Për zhvillimet e rastit me nr…. në lidhje me KS Skënderbeu ju duhet një akreditim në Gjykatën Supreme Federale të Zvicrës. Pas miratimit të kërkesës tuaj nga Kryetari i gjykatës kompetente, ju do të merrni, në kohën e caktuar, vendimin përfundimtar dhe/ose vendimet e përkohshme”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e Gjykatës Federale të Zvicrës.
Ky institucion ka informuar gazetën edhe për për numrin që mban dosja e Skënderbeut, por për etikë, vendosëm të mos e publikonim. Ky është shansi i fundit i klubit korçar pas dënimit që mori nga UEFA me 10 vite mospjesëmarrje në Kupat e Europës për trukime ndeshjesh. Korçarët e humbën betejën edhe Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (KAS) dhe më pas vendosën t’i drejtohen Gjykatës Federale të Zvicrës, që është edhe mundësia e fundit për të shpresuar në një vendim ndryshe.
Kjo gjykatë është shkalla e fundit në lidhje me të drejtën civile në arenën publike si dhe të mosmarrëveshjeve ndërshtetërore apo me konfederatat. Kur ndërmerret një apelim, trajtohet nëse është aplikuar ligji në mënyrën e duhur dhe nëse është ndjekur procedura në mënyrë korrekte për marrjen e një vendimi dhe më pas krijohen precedentët për çështje të ngjashme.
Bazohet mbi vendimet e argumentuara në bazë të ligjeve në fuqi, nga shkallët më të ulëta gjyqësore, në rast se i gjykon të drejta. Nëse konstaton vendime jo korrekte, e anulon atë vendim ose mund edhe ta kthejë në shkallën e mëparshme për vendim të ri. Në këtë gjykatë nuk ka seanca dëgjimore, por vetëm shqyrtim ligjor të vendimeve, pa i gjykuar çështjet në themel, por vetëm anën procedurale nëse është zbatuar apo jo ligji për të gjithë palët e përfshira në çështje.