Detaje të reja kanë dalë në lidhje me atentatin e kryer mbrëmë ndaj Ardian Çapjes.
Policia ka shoqëruar më shumë se 20 persona si të dyshuar apo që kanë dijeni për ngjarjen, ndërsa janë sekuestruar kamera sigurie në një zonë të gjerë dhe po këqyren pamjet e ditës së djeshme, por edhe të ditëve më parë, pasi ka dyshime se atentatorët e kanë studiuar zonën.
Pas 15 minutash, nga atentati në lagjen “Skëndërbej” u gjet tërësisht i djegur mjeti tip “Volksvagen Sharon”. Policia ka mundur që të dallojë targën e tij AA 821 MD. Nga veprimet hetimore rezulton se, targat janë të vjedhura dhe i përkasin një mjetit “Citroen C3” dhe janë deklaruara të vjedhura në Krujë një vit më parë më datë 6 maj 2019.
Duke pasur dyshime se mjeti është i atentatorëve, policia ka këqyrur me imtësisht brenda këtij mjeti dhe ka sekuestruar, një armë zjarri e dëmtuar, në dukje “Snajper”. Pasi është çuar në laborator, ekspertet kanë mundur të përftojnë numrin e serisë së armës dhe po bëhen verifikime për të kuptuar nëse është e regjistruar. Në mjetin e djegur, policia ka gjetur edhe një silenciator, i çmontuar, i cili do të dërgohet për ekzaminime të mëtejshme”, raporton gazetarja Bezat.
Nisur nga provat e grumbulluara, ka dyshime se atentati është kryer me snajper silenciator.
Çapja vijon të jetë në gjendje të rëndë në spitalin e Traumës në Tiranë. 55-vjeçari u operua për disa orë ditën e djeshme duke dalë me sukses por sërish në gjendje të rëndë.
Ai u qëllua me një snajper të modifikuar në oborrin e shtëpisë së tij në Elbasan. Plumbi tejshpues i dalë nga qyta ka kaluar nga shpatulla e majtë dhe ka kaluar vetëm 1 milimetër larg zemrës. Megjithatë për fatin e tij të mirë, plumbi nuk i ka prekur shumë vend.
g.kosovari