Nga ARTUR AJAZI
“Ne ç’montuam kapjen e komisioneve, ne fituam, ne ja hodhëm Ramës, ne do të fitojmë”. Këto dhe shumë batuta barcaletash të vjetëruara tashmë, janë disa prej thënieve “gjeniale” të sekretarëve të SHQUP-it, lidhur me firmosjen pa kushte të marrëveshjes mes partive, nga kryetari në detyrë i Partisë Demokratike Lulzim Basha. Edhe në dy ditët e fundit, nga selia “bllu”, kanë dalë deklarata dhe recitime shtypi, nga ku Gazi, besniku i partisë ka deklaruar se “PD dhe Opozita e Bashkuar nuk tërhiqet asnjë hap nga presioni dhe kurthet e Edi Ramës, ne i ç’montuam kapjen e konisoneve zgjedhore, bashkë me shqiptarët do të mbrojmë çdo votë dhe do të fitojmë”.
Gazi, je i bindur thellë në vehten tënde se Partia e Lulzimit do të fitojë zgjedhjet në 2021, vërtetë beson se në derexhenë ku jeni katandisur, ka akoma shqiptar tu japë vota, vërtetë beson se shqiptarët kanë harruar se ju, sa ishit në pushtet e bëtë “lesh e li” shtetin, gjykatat, prokuroritë, policinë, arsimin, ushtrinë, se nuk latë injorant me shkollë nate, pa e bërë drejtor, shef komisariati, apo dhe oficer policie ? Vërtetë ti Gazi, beson se Partia e Lulzimit që firmosi marrëveshjen (si Çeçua) ka gjasa dhe këllqe të fitojë zgjedhjet, edhe se ju i paskëshi “ç’montuar Ramës komisionet” ?
Vërtetë mendon dhe beson ti Gazi se, ka shqiptar të japë votën për ju, kur kujton tmerret e protestave e demostratave dhe djegiet e institucioneve, edhe pse aktet e tilla u dënuan thellësisht nga faktori ndërkombëtar ? E beson vërtetë tregimin imagjinar të “udhëheqësit” se, “ky regjim do të marrë fund, ne do të fitojmë”, kur keni qysh nga 2013 që nuk fitoni asnjë palë zgjedhje, kur keni 3 vjet që keni braktisur votuesit tuaj, kur keni mbi 50 per qind të mbështetësve kundër, apo dhe një pjesë e mirë e tyre e larguar nga PD. Kësaj i thotë, “kur nuk të duan në fshatin tënd, si kërkon të bijën e priftit”, pra kur nuk të votojnë as në partinë tënde, si mund të mendosh se “tani që firmosëm marrëveshjen, ja hodhëm, fituam, e rrëzuam Ramën”.
Gjithsesi bëni mirë që jetoni me imagjinata, ëndërra, meditime, dhe duke projektuar “të ardhmen e partisë” nën hijen e SHQUP-it, sepse ndryshe do tu dukej gjithçka e zezë pastaj. Kur nuk votohesh, kur nuk të votojnë, kur nuk të afrohen, kur nuk të dëgjojnë, kur nuk të besojnë, kur nuk të përkrahin, apo kur të urrejnë, si mund të dalësh në mexhilis, dhe të thuash “ne ç’montuam Ramën, ne do të fitojmë”. Duhet të rriteni Gazi, duhet të ndryshoni, të kuptoni dhe reagoni, duhet të zbrisni me “këmbë në tokë”, dhe ta nisni nga e para. Dhe të bëhet kjo, natyrisht në atë parti duhet bërë “qilizmi”, që nuk bëhet prej 30 vitesh, ashtu siç ka bërë partia e Edi Ramës. Por ju këtë nuk e bëni, sepse nuk guxoni, sepse nuk keni kurajo, nuk ju lë “udhëheqësi” juaj, sepse jeni kthyer në kukulla robotike me programim 4 vjeçar. Lulzimi nga ana e tij i është rikthyer melodisë së vjetër, duke deklaruar se “kandidatët do ti zgjedhë baza”. Gënjeshtër e kthyer në realitet, mashtrim i servirur bajatshëm nga kryetari në detyrë i një partie që kurrë nuk ka zgjedhur kandidatë nga “baza”, por ka futur në lista kukulla dhe manikina që i kurdis dhe i kontrollon Lulzimi me “çip” nga distanca.