Tashmë te Tirana mund të flenë të qetë dhe të vijojnë rrugën e tyre drejt titullit kampion me ndeshjen e radhës nesër në orën 17:00 në stadiumin “Gjirokastra” kundër Luftëtarit.
Klubi bardheblu së fundmi ka bërë me dije përgjigjet e marra nga Instituti i Shëndetit Publik ku të gjithë lojtarët dhe stafi kryeyqtetas kanë dalë negativë në testet me tamponë të kryer mëngjesin e sotëm.
Ditën e djeshme një shkresë e ardhur në zyrat e Tiranës trembi jo pak opinionin pasi do të kryhej një “hetim epidemiologjik” nga ana e ISHP-së pasi bardheblutë u kthyen nga Bylisi ku një rast pozitiv me koronavirus u konfirmua para se ata të luanin.
/e.rr