Rene Higuita, kolumbiani i njohur që mbronte katërkëndëshin e kombëtares së rij, kujton periudhën kur u arrestua për shkak të njohjes që kishte me Pablo Escobar, “Mbretin e Kokainës”, të cilin e vranë në dhjetor të vitit 1993. Higuita ka fjalë të mira për të, sidomos për ndihmën që i dha futbollit në Kolumbi.
Në intervistën e dhënë për kanalin argjentinas, “Fox Sport”, ish-portieri shprehet: “Autoritetet në Kolumbi më thanë që të dorëzoja Pablo Escobar, në mënyrë që të mos më arrestonin mua. Ata e dinin që unë isha i pafajshëm. Ndaj tij kish nisur përndjekja dhe nisën të fusin në burg të njohurit e tij.
Njerëzit më konsideronin shokun e tij, pasi e vizitova në burgun ‘La Catredal’. Përgjigja ime për autoritetet ishte se nuk e dija asgjë ku ndodhej, por edhe ta dija, nuk do t’u tregoja. Ishte punë e tyre për ta bërë atë gjë”.
Më tej ai shton: “Unë e falënderova Pablo Escobar për ndriçimin e fushave të futbollit, kur askush tjetër nuk e kishte bërë më parë. Jam unë ai që i tregoj vetes së kush jam. Jam miku i të gjithëve. Isha mik i Pablo Escobar dhe kjo nuk do të thotë që unë jam një tregtar droge.
Disa do e pëlqejnë këtë që them, të tjerë do më konsiderojnë një armik. Mua më mbush me krenari fakti që kam qenë futbollist”. Higuita ka qenë pjesë e kombëtares së tij për 12 vite, në periudhën 1987-1999, ndërkohë që tani është trajneri portierësh tek Atletico Nacional.
g.kosovari