Teksa presidenti amerikan Donald Trump akuzon Kinën për përhapjen e Covid-19, këtë hipotezë e mbështet edhe ish-Shefi i Shërbimit Britanik të Zbulimit Sir Richard Dearlove. Në një intervistë për të përditshmen Telegraf, Dirlov shprehet se koronavirusi është krijuar nga njeriu në një laborator në Kinë, por përhapja ka qenë aksidentale.
Ish-kreu i MI6-ës thotë se disa elementë kyçë në sekuencën genetike i janë bashkangjitur Covid-19 nga shkencëtarët. Arritja tek aftësia e infektimit të njeriut nuk ka ardhur për shkak të evolucionit natyror, shprehet ish-Kreu i Shërbimit Britanik të Zbulimit, i cili i referohet disa të dhënave të një studimi britaniko-norvegjez, që ende nuk është publikuar.
Shkencëtarët besojnë aktualisht se Covid-19 ka evoluar, duke shtrirë infektimet nga lakuriqët e natës tek njeriu. Por sipas Richard Dearlove, kanë qenë shkencëtarët kinezë ata që kanë kryer eksperimente tek lakuriqët e natës. Disa prej tyre që kanë qenë të infektuar për të kryer eksperimente mund të jenë larguar aksidentalisht nga laboratori i sigurisë së lartë në Wuhan.
Ai paralajmëron se përpjekjet për gjetjen e një vaksine mund të jenë të kota.
/a.r