Pas ekzekutimit të 37-vjeçarit Bujar Hasani mbrëmjen e së shtunës në ambientin e jashtëm të një hoteli në autostradën Mamurras-Lezhë, në Spitalin e Traumës ndërroi jetë edhe i plagosuri Paulin Gjergji.
53-vjeçari nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra ndërsa në rrethana ende të paqarta mbeti i plagosur edhe një 21-vjeçar. Bujar Hasani i njohur edhe me mbiemrin Lika ishte një person i skeduar më parë nga policia, i njohur si mik i afërt i Ervis Martinajt.
Së bashku me këtë të fundit Hasani dyshohet se ka qenë i pranishëm edhe në vrasjen e Enton Nikajt në vitin 2015 në zonën e Linzës. Për zbardhjen e motiveve të ngjarjes janë angazhuar edhe specialistë nga krimet e rënda në Departamentin e Policisë Kriminale.
Ndërkohë, pranë një hoteli në rrugën e Dibrës mbrëmjen e së shtunës shpërtheu një sasi tritoli duke shkaktuar vetëm dëme materiale.
Biznesi është në pronësi të babait të Ervin Matës, edhe ky një emër i njohur pasi në vitin 2018 u përfshi në një përplasje të armatosur në bllok me grupin e Martinajt.
Burime nga uniformat blu bëjnë me dije se tritoli është hedhur nga një makinë në lëvizje, ndërsa po hetohet edhe nëse kjo ngjarje ka lidhje me ekzekutimin në Kurbin.