Djali që lë pas krahëve godinën e komisariatit të radhës e ka të zhytur dorën në pëllëmbën e një burri të kërrusur që pi duhan pareshtur. Ai është një fëmijë plot lëvizje të gjalla, me flokët e qethur anash sipas trendit të fundit për para-adoleshentët. Mban të veshur një bluzë më të madhe se trupi i imët që do t’i rrinte bukur një 18-vjeçar.
Por fëmija nuk është më tepër se 12 vjeç. Është njëri nga tre djem që jetojnë në Kamëz, dhe që së fundmi u përballën me policinë pas kallzimit të B. S, i cili këmbënguli para agjentëve se “fëmijë të tillë dalin natën nga shtëpia dhe vjedhin ç’të munden”. Por për oficerët, si rasti i E. ka me dhjetëra në përfundim të analizave mujore që zhvillohen, por që nuk gjejnë asnjë zgjidhje se si shkolla dhe institucionet të arrijnë të zbusin përfshirjen e fëmijëve kryesisht për vjedhje.
Për të atin që e mban shtrënguar të birin sapo del nga komisariati numër tre, u bë e qartë se ligjet vërtet nuk penalizojnë fëmijën. “Policët më folën për drejtësinë restauruese, – pohon 33-vjeçari për Gazetën Si. Ai e shpjegon se ligji për të miturit që i mbron ata, rëndon në kurriz të prindërve, në rast se pala e dëmtuar ngre pretendime për tu dëmshpërblyuer”. Në një episod babi i “lypsit” të vogël u detyrua të ndërmjetësojë me një nga fqinjët e tij e tij për të kthyer një më një lekët e një motorri që i ati shton “as e kam idenë se si dhe përse dhe ku e shiti më pas”.
Por rasti i fëmijës që u zbulua nga pronarët e furrave të bukës në kryeqytet, është më optimisti në trendin e vërshimit të tyre për të vjedhur çdo gjë. Ndërsa mendohet se ai vjedh pa u shtyrë nga askush, shumë të tjerë dyshohet se përdoren nga të rritur apo përfshihen në vjedhje për shkaqe ekonomike “që në këtë rast i kthen fëmijët më tepër në viktima”, e perifrazon për gazetën Si situatën e tyre një agjent krimesh.
12-vjeçari (identitetin e të cilit gazeta “Si” e disponon) është, fëmija i tretë i një çifti nga Puka. Ai është një nga personazhet më të njohur të policisë, të asaj armate të vegjlish që vjedhin çdo gjë që munden dhe nuk dihet se ku i shesin produktet e zhvatura sa hap e mbyll sytë. Disa marrin ushqime. Të tjerë biçikleta. Shumë syresh kërkojnë më tepër, të hyjnë në shtëpi të caktuara e të vjedhin pajisje elektronike.
Më fatkeqi është D., 13 vjec që u kap nga i zoti i shtëpisë teksa po vidhte këpucët jashtë derës, që ishin lënë për shkak të pandemisë në ambjentin e përbashkët të pallatit. Por kur u njoftua komisariati përkatës, kallzuesi i vënë përballë të qarave të të dyshuarit, siç përshkruan njëri nga efektivët e patrullave futi duart në xhep dhe i fali atij 200 lekë. Ndonëse ky ishte një moment dobësie prej tij, V. T nuk hoqi dorë dhe tregoi se e kapi fëmijën në flagrancë në derë të shtëpisë. Djaloshi shpëtoi pasi nuk kishte mbushur 14 vjeç, edhe pse emri i tij në prani të një psikologu u shënua në një regjistër të posaçëm.
Siç bëjnë me dije burimet e gazetës Si, por edhe sikurse gazeta Si ka raportuar vazhdimisht duke u bazuar në evidencat policore, autoritetet janë përballur përherë me grup mosha fëmijësh që dalin nga shtëpia me pretendimin se do shesin disqe këngësh, ose do shesin paketa cigaresh. E njëjta gjendje nuk ka munguar as gjatë pandemisë. Fëmijë nën 14 vjeç përpiqen të vjedhin larg zonës ku banojnë.
Së fundmi i mituri E, së bashku me dy shokët e tjerë në të njëjtën moshë u identifikuan pas orëve të gjata të vëzhgimit nga pronari i një sërë furrash buke në Tiranë si dhe shërbimit si roje që po bënte edhe i vëllai në një furrë tjetër buke.
“Fillimisht njëri nga djemtë trokiti në xhamin e furrës. Pas këtij moment tjetri nxorri kacavidën dhe ju drejtua derës. Ishin të njëjtët fëmijë që kanë kryer një vjedhje të vogël lekësh në një furrë tjetër” rrëfen furrtari për policinë. Por i mësuar me hyrje daljet në komisariat, për rastin më të fundit ku ai sulmoi sërisht furrën e bukës së bashku me shokët e tij, E. mohoi cdo gjë. Pasi policia e gjeti në rrugë në mes të natës dhe siç e shpjegon i mituri “ika disa metra me vrap”, policët u detyruan ta shoqërojnë me patrullë dhe sirena për në banesë duke i kërkuar që të nesërmen të shkonte bashkë me babain në polici.
Në ditën vijuese E. i tregon të gjitha duke dhënë një version fëminor e duke përshkruar lojrat, dëshirën për ëmbëlsira, apo edhe shkeljet ndaj rregullave të prindërve. “Dola nga shtëpia se u mërzita i mbyllur brenda. Ishte ora dhjetë e natës. Takova shokët pranë institutit të Kamzës, ata më thanë të lëviznim deri në afërsi të Doganës. Aty ata më lanë lekë në dorë , të vogla që nuk i numërova. Më kërkuan ti prisja aty, por pasi u vonuan për gati një orë, lëviza me drejtim të Gintash. Diku aty më doli policia dhe nga frika ngrita duart lart. Policia më coi në komisariat dhe pastaj patrulla më shoqëroi në shtëpi duke më kërkuar që të kthehesha në komisariat me babin”. Kur policia e pyeti nëse kishte vjedhur vetë në furra apo i kishte qëlluar të merrte ndonjë herë ëmbëlsira aty ai tundi kokën mohues. “Ëmbëlsirat i kam qejf, por jo nuk isha duke vjedhur gjë” insistoi 12-vjeçari.
Por rasti për të cilin fëmija ishte së fundmi në polici mori shkas nga kallzimi i B.S., pronar i dhjetë furrave të bukës në kryeqytet. Ngjarja vërtetohet sipas fashikullit që gazeta Si disponon edhe nga kamerat e sigurisë që shfaqin tre fëmijë, duke hyrë në një furrë tek pallatet e verdha prej nga marrin disa monedha. “Të njëjtët fëmijë tentojnë të bëjnë të njëjtin veprim edhe në një furrë tjetër buke në rrugën Gjergj Legisi, por reagimi i pronarit që po ruante objektet ka sjellë largimin e tyre të menjëhershëm.
Policia evidenton për gazetën Si se vëllai i pronarit që i kishte vëzhguar nga makina, ju qep këmba-këmbës fëmijëve dhe kapi njërin prej tyre. Ai deklaron në komisariatin numër 3 se “kam dëgjuar se këta fëmijë të mitur merren me vjedhje gjatë natës, duke thyer e hyrë në objekte ndaj kërkoj të merren në përgjegjësi ligjore”. Pavarësisht kërkesës të të dëmtuarve, asnjëri nga fëmijët nuk mund të vendoset para drejtësisë aq më tepër që në cdo fazë të veprimeve që ndërmerren nga institucionet urdhërohet ndihmë ligjore dhe psikologjike pa pagesë. Së paku ky “privilegj” u jepet deri ditën që mbushin 14 vjeç.(si)