Policia e Korçës del me deklaratë lidhur me kamionin e bllokuar në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, me 195 kilogramë kanabis sativa dhe bën me dije arrestimin e katër personave dhe shpalljen në kërkim të tre të tjerëve.
Në dalje të Republikës së Shqipërisë, punonjësit e policisë kufitare kanë përzgjedhur për kontroll të detajuar në vijë të dytë mjetin kamion tip “Iveco”, me drejtues shtetasin S. V., 54 vjeç, banues në Tiranë, i cili kishte si destinacion Greqinë.
Kontrolli ka vijuar më pas me procesin e skanimit të kryer nga dogana, ku u shfaqën dyshime se mbi karrocerinë e mjetit mund të ishte fshehur lëndë e dyshuar narkotike. Konkretisht në sipërfaqen e saj u gjet një sasi prej 195 kilogramë lëndë narkotike kanabis, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Drejtuesi i kamionit i dënuar më parë për veprën “Dhuna në familje”, u arrestua në kushtet e flagrancës.
Pas shoqërimit të tij në polici dhe falë një pune intensive hetimore, u bë kapja e personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje.
Konkretisht u bë ekzekutimi i urdhrave të ndalimit lëshuar nga Prokuroria e Korçës, për
Sh. H., 64 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për “Vetëgjyqësi”; V. C., 55 vjeç, banues në Korçë i dënuar më parë për “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”; M. J., 48 vjeç, banues në Korçë, për veprën penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” i cili ka falsifikuar dokumentacionin e kamionit.
Gjithashtu si edhe u shpall në kërkim B. M., 56 vjeç, banues në Tiranë, i cili së bashku me shtetasit Sh. H., dhe V. C., dyshohet të kenë qenë në rolin e organizatorëve të kësaj veprimtarie.
Ndaj të dyshuarve materialet iu referuan Prokurorisë së Korçës, për ndjekje të mëtejshme.
g.kosovari