Si gjithnjë, i qartë, lakonik dhe i prerë. Historiani i njohur dhe ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Prof. Paskal Milo sqaron se si qëndron e vërteta e deklaratave të tij lidhur me origjinën e nënës së Skënderbeut që çuditërisht u rihap ditët e fundit. Në këtë intervistë ekskluzive për gazetën DITA, Milo shpjegon se ajo që tregon videoja që tashmë është bërë virale në rrjetet sociale, është një shpifje shumë e poshtër e organizuar nga qarqe ekstremiste islamike, që prej vitesh financojnë shumë portale të tilla në Shqipëri, për të goditur figurën e Heroit tonë Kombëtar. E pra, hapja e një debati të tillë aktualisht, si një rrufe në qiell të kthjellët, tregon se ata nuk e kanë hallin me Paskal Milon, qoftë si njeri, qoftë dhe politikan dhe historian, por me Skënderbeun. Prof. Milo shton se mbështet deri në fund tezat, të cilave iu referohet, por jo fjalëve të shkëputura nga konteksti, pasi kështu fjalët e tij po shfrytëzohen me keqdashje nga individë të caktuar.
Intervistoi Xhevdet Shehu
– Profesor, nuk e kisha menduar një intervistë me brenda një harku 2-3 javësh, pas asaj që bëmë për 9 majin, ditën e madhe të fitores së Antifashizmit. Mirëpo, ndodhin edhe të papritura. Ndaj jush ka nisur një furtunë e papritur, lidhur me një qëndrim tuajin për figurën e e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeun. A jeni ndjerë i befasuar nga kjo furtunë?
– Jo, unë jam mësuar me polemika dhe diskutime, qoftë si historian qoftë dhe si politikan. Edhe këtë “furtunë” nuk e quaj të papritur. Ajo që më bëri përshtypje ishte momenti: Nuk kishte një jubile të Skënderbeut të lindjes apo të vdekjes. Unë ato deklarata dhe qëndrime i kam bërë në 2018 dhe askush nuk më kontestoi. Atëherë, pse u hap tani ky debat dhe pse nisi kjo “furtunë” sikurse shpreheni ju kundër meje? Po ua them unë: Nuk e kanë me Paskal Milon, por me Skënderbeun, me frymën europianiste të Shqipërisë.
– Unë e kuptoj shqetësimin tuaj. Por përhapësit e lajmit i referohen një deklarimi tuajit se “Nëna e Skënderbeut me origjinë serbe ”. A është kjo një shpifje e montuar dhe e manipuluar?
– Unë përmenda një fakt historik. Këtë e thonë të gjithë historianët dhe biografët e Skënderbeut. Pse më referohen mua që përsërita një fakt të njohur, është puna e tyre. Por ky është thjesht një abuzim. Unë e kam përmendur në të gjitha shkrimet e mija dhe e kam thënë më mijëra herë se i ati i Skënderbeut ishte shqiptar i pastër dhe e gjithë vepra e Heroit tonë Kombëtar është tërësisht shqiptare. Qëndresa e tij heroike një çerek shekullore është e pashembullt. Pse nuk merren kontestuesit e mi me këtë fakt? Është puna e tyre dhe unë nuk ndihem aspak i shqetësuar. Ajo që dua të theksoj për ty, miku im Xhevdet, është kjo: “Furtuna” e ditëve të fundit është një shpifje shumë e poshtër e organizuar nga qarqe ekstremiste islamike, që financojnë shumë portale të tilla në Shqipëri, për të goditur figurën e Skënderbeut. Nuk është hera e parë që e bëjnë këto qarqe. Por duke keqpërdorur dhe manipuluar tezat dhe qëndrimet e mia shumë të njohura në 550 vjetorin e vdekjes së Skënderbeut, dy vite më parë. Fjalët e mia janë shkëputur nga konteksti, për t’u shfrytëzuar nga qarqe ekstremiste islamike që financojnë disa portale në Shqipëri…
– Atëherë, pse u kujtuan pikërisht tani për të përmendur emrin tuaj kundër Skënderbeut?
– Skënderbeu është ai që është. Një Hero shqiptar dhe evropian njëherësh. Një Hero i madh. Nuk ka nevojë Skënderbeu për vlerësimet e mia. Kemi nevojë ne shqiptarët për një Hero të tillë. Pyetja që shtrohet është, pse u kujtuan tani këto portale me influenca të qarta islamike ekstreme, të ribotojnë dhe manipulojnë pas dy vitesh këto deklarata të miat? Ajo që të bën më shumë përshtypje dhe është qëllimisht e organizuar dhe unë jam në dijeni të këtyre përpjekjeve që bëhen nga individë të caktuar të paguar. Synimi nuk jam unë, por është goditja e figurës së Skënderbeut. Goditja realizohet përmes shpifjeve në adresën time. Meqenëse më pyetët për këtë çështje po ju përgjigjem jo vetëm kontestuesve të mi, por edhe gjithë lexuesve të gazetës suaj: Nëqoftëse doni të dini pikëpamjet e mia, i sugjeroj të gjithëve të lexojnë se çfarë kam thënë unë në referatin e mbajtur në vitin 2018 në Konferencën Kombëtare për Skënderbeun të mbajtur në Tiranë dhe në disa konferenca të tjera. Materiale këto të botuara edhe në gazeta. Aty janë të qarta dhe jo të manipuluara. Nuk ka fraza të shkëputura nga konteksti si është bërë në atë video të publikuar. Është një tentativë e ndyrë e qarqeve të influencuar nga radikalistë ekstremistë, që vazhdimisht kanë goditur figurën e Skënderbeut me qëllime antikombëtare dhe antishqiptare.
– Jo po më flisni për një sulm të qëllimshëm, apo jo?
– Po. Tërësisht i qëllimshëm dhe i mirorganizuar. Sapo ta thashë që ky sulm është kundër Skënderbeut, jo kundër meje. Në këtë rast duke goditur figurën e Skënderbeut që ndali pushtimin osman, që iu bë barrikadë pushtimit të Evropës nga osmanët dhe që Skënderbeun e kanë akuzuar si tradhtarë të osmanëve dhe si tradhtarë të Islamit, duke e nxjerrë Skënderbeut si një nga udhëheqësit e botës së krishtere, evropiane të asaj kohe, argumentojnë tezat e tyre që Skënderbeu është tradhtar. Pra godasin figurën e Skënderbeut duke përdorur tezat e mia. Shumë dinake! Apo jo?!
– Ku qëndron goditja, se që nëna e tij është me origjinë sllave është thënë nga ju. Çka do të thotë që mbështesni këtë tezë…?
– Në momentin që frazat merren të shkëputura nga një bisedë që ka zgjatur dy orë edhe montohen, nuk del absolutisht qëndrimi edhe mendimi im. Pyesni për këtë Pëllumb Xhufin, historianin tonë më të kompletuar për atë periudhë që ishte i pranishëm në atë debat televiziv. Sepse nuk jam unë që e kam thënë që nëna e Skënderbeut është me origjinë serbe, po janë me dhjetëra dhe qindra historianë. Nuk e them unë që Skënderbeu ka lindur nga një familje ortodokse, por janë shumë të tjerë dhe dokumente historike që e thonë këtë. Nuk e kam shpikur unë, unë u referohem historianëve dhe dokumenteve të tjera. Ky montim është bërë qëllimisht edhe nuk e thonë që unë këto deklarata i kam bërë para dy vitesh, duan të japin përshtypjen që unë këto deklarata i kam bërë këto ditë. Në Shqipëri ka një numër presionesh që vijnë nga qarqet ekstremiste islamike.
– Ka pasur komete dhe akuza kundër jush në rrjet… I keni lexuar?
– Më kanë thënë në telefon, por nuk i kam lexuar. Nuk më interesojnë. Pse nuk del një historian ta kundërshtojë, por del vajza e Koço Kokëdhimës, çfarë përfaqëson ajo? Ajo është tralala zura një galë. Unë kontestues të tillë nuk i vë fare në refene kontestues të asaj kategorie.
– Ju thoni se janë qarqe islamiste ato që ju kundërshtojnë. Çfarë mendoni se arrijnë këta ekstremistë duke goditur Skënderbeun?
– Në këtë rast duke goditur figurën e Skënderbeut që ndali pushtimin osman, që iu bë barrikadë pushtimit të Evropës nga osmanët dhe që Skënderbeun e kanë akuzuar si tradhtarë të osmanëve dhe si tradhtarë të Islamit, duke e nxjerrë Skënderbeut si një nga udhëheqësit e botës së krishtere, evropiane të asaj kohe, argumentojnë tezat e tyre që Skënderbeu është tradhtar. Pra godasin figurën e Skënderbeut duke përdorur tezat e mia. Shumë dinake!
– Sa influencon ky debat aktualisht sot?
– Ju e keni të qartë që në politikën e gjeo-Ballkanit, Shqipëria, Kosova dhe shqiptarët, ata i mendojnë si baza mbështetëse për penetrim të mëtejshëm të islamizmit ekstrem në Ballkan. Sepse mbështeten në faktin që shumica e shqiptarëve janë të fesë myslimane dhe duke bërë këto gjera ata duan të penetrojnë thellë e më thellë në shoqërinë shqiptare. Sidomos tani kur në Ballkanin Perëndimor kryqëzohen influenca dhe presione të ndryshme dhe ku presionet e qarqeve islamike janë të pranishme. Pra, thënë shkoqur, janë pjesë dhe instrument i kësaj fushate për ta penguar këtë rajon për tú bashkaur me Evropën.
– Më dukeni shumë i ashpër, Profesor. Mos është ky një reagim kokë për kokë, apo me të njëjtën monedhë ndaj kontestuesve tuaj?
– Aspak. Unë jam historian dhe flas me logjikën e argumenteve. Oponentët “profesionistë” të rrjeteve sociale me një injorancë patologjike të frymëzuar nga individë, specialistë të terrorit psikologjik fondamentalist, duke u fshehur prapa pseudonacionalizmit, kanë hedhur në tregun anarkist akuza se gjoja është thënë se Skënderbeu ka origjinë sllave dhe se ka qenë ortodoks apo i krishterë.
Dua ta sqaroj përfundimisht për të gjithë lexuesit e gazetës suaj:
E para, është një shpifje e pastër dhe shumë e ulët, sepse dihen reagimet që ngjallen ne opinionin publik për çështje të tilla shumë të ndjeshme. Në referimet e mia për Skënderbeun në vitin 2018, në konferencën ndërkombëtare me rastin e 550 vjetorit të vdekjes së tij, mbajtur në Tiranë dhe në dy botime në gazetën “Panorama” figura e Skënderbeut dhe vepra e tij janë trajtuar me një përgjegjësi te madhe shkencore, maksimalisht, mbështetur në dokumente e bibliografi të gjerë vendase e të huaj. Ato u mirëpritën jo vetëm në qarqet shkencore brenda vendit, por edhe në konferencën në Akademinë Britanike të Shkencave, ku referova në nëntor 2018. Unë jam i nderuar që për këto çështje kam të njëjtat mendime me Skenderbeologët më të mirë shqiptarë si Fan Noli, Athanas Gegaj, Aleks Buda, Kristo Frashëri, Aurel Plasari etj. “Shkencëtarëve” të rrjeteve të panjohura sociale nuk u mbetet veç t’i dënojnë edhe këta si antikombëtarë, madje edhe më shumë se edhe unë prej tyre kam mësuar shumë.
– Mos ju keqkuptojnë në këtë rast islamistët, Profesor?
– Jo, nuk kanë dhe nuk gjejnë ndonjë arsye të më kontestojnë besimtarët islamë. Unë them se qarqet ekstreme islamike që nuk kanë asnjë lidhje me fenë e mirëfillte e të moderuar islame, komandojnë e financojnë për fat të keq disa të ashtuquajtura portale në veprën antikombëtare të pengimit të integrimit evropian, në sabotimin e ëndrrës së shqiptarëve për ta bërë Shqipërinë si gjithë Evropa. Ky është fakt i njohur që për fat të keq duket se tani në rrethanat e pandemisë nga shteti dhe institucionet e posaçme të tij, është ulur vigjilenca. Këto qarqe e urrejnë kulturën dhe traditën evropiane dhe gjejnë forma e mënyra të hapura e të kamufluara për ta goditur praninë e saj në Shqipëri. Këtij qëllimi i shërbejnë edhe sulmet e vazhdueshme që këto qarqe radikale e talibaniste bëjnë kundër papëve të Romes dhe vlerësimeve të tyre për Skënderbeun si luftëtar, atlet e kampion në mbrojtje të krishtërimit. Nuk e sulmojnë direkt Skënderbeun që hapur e kishte radhitur veten në “çetën e besimtarëve të Krishtit”. Janë këta dhe shumë paraardhës të tyre që e kanë akuzuar Skënderbeun si “tradhtar të Islamit” apo edhe te sulltanëve osmanë. Çirakët e paguar të islamizmit terrorist këtë herë preferuan ta sulmojnë Skënderbeun jo frontalisht, por tërthorazi duke shpifur e fabrikuar manipulimin e një bisede televizive dy vjet më vonë pasi është transmetuar.
Prandaj, miku im po ta ritheksoj se: Krishtërimi në shekullin e 15-të ishte thelbi, ideologjia dhe filozofia e qytetërimit evropian. Sulmi ndaj besimit të krishterë të Skënderbeut sot, është sulm ndaj vlerave evropiane me të cilat kaq shume shqiptarët kanë dashur e duan të bashkohen.