Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka dhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim, nënshkruan kontratën e pranimit për pajisjen e Forcës Ajrore shqiptare me helikopterë “Black Hawk”.
Helikopterët, asistencë e qeverisë së SHBA, pritet të mbërrijnë së shpejti në Shqipëri, ndërsa Xhaçka tha se ky kontribut rrit kapacitetet e Forcave të Armatosura shqiptare.
“Jam e lumtur që sot, përmes këtij nënshkrimi i tregojmë qytetarëve tanë se nuk jemi vetëm. Se kemi miq. Se jemi miq. Që do të jemi krah njëri – tjetrit, sidomos në kohë të vështira. Helikopterët Black Haëk” që shumë shpejt do të jenë pjesë e Forcës tonë Ajrore, investimi kolosal në bazën e Kuçovës, sistemi i radarëve pas marrëveshjes me kompaninë amerikane Lockeed Martin, janë të gjithë tregues të ringritjes së Forcës Ajrore me hapa të sigurt dhe në krah të aleatit strategjik.
Edhe pse kapacitetet e Shqipërisë janë ende modeste, unë besoj shumë se vlera e shtuar e kësaj infrastrukture për Aleancën dhe aleatët tanë amerikanë është shumë domethënës. Ne jemi duke punuar shumë për të konsoliduar dhe përmirësuar profesionalizmin dhe gatishmërinë e forcave tona. Ashtu siç do të bëjmë me krijimin e një qendre trajnimi multifunksionale që do të përgatisë personelin tonë për një mori specializimesh të forcave ajrore”, tha ministrja Xhaçka në fjalën e saj.
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim u shpreh se Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria janë dhe do të vijojnë të qëndrojnë “krah për krah”.
“Ky program përfaqëson shkëlqyeshëm dy aleatë që punojnë së bashku për të arritur qëllime të përbashkëta të sigurisë. Siç e dini, ky nuk është vetëm një dhurim i pajisjeve amerikane të mbrojtjes. Ky është një program i financuar bashkërisht, ku si Shtetet e Bashkuara ashtu edhe Shqipëria ndajnë përgjegjësinë financiare për të mbrojtur Aleancën… Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria qëndrojnë “krah për krah” sot, do të qëndrojmë “krah për krah” nesër dhe të gjitha të nesërmet që vijnë më pas”, tha ambasadorja Yuri Kim.