Mask Velo u nda nga jeta 3 javë më parë, por ëndrra e tij, për të cilën punoi gjer në ditët e fundit, para se të sëmurej, u bë sot realitet. Ajo ishte kinemaja e Laprakës, të cilën e kishte projektuar që në vitet ’70, por pas viteve ’90 ishte lënë në harresë, e më pas ishte shkatërruar, për t’u zaptuar e kthyer në një hedhurinë. Arkitekti punoi deri vonë për rikonstruksionin e saj, për ta kthyer në identitet, e vetëm sot ajo u hap. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, motra e Maks Velos, Diana, dhe miku i ngushtë i tij, regjisorit Kujtim Çashku, inspektuan përfundimin e punimeve të kinemasë, e cila tanimë mban edhe emrin e arkitektit të mirënjohur.
“Kur shtohet një kinema në Tiranë, për qytetin është një ditë e mrekullueshme, por është dy herë më e mrekullueshme kur i shtohet një kinema e projektuar nga Maks Velo, e cila nga sot, në nder të tij, do të quhet kinemaja “Maks Velo” në Laprakë. Sa ishte gjallë, Maksi e ndoqi këtë projekt me miqtë italianë dhe kolegët shqiptarë, madje mbaj mend një nga bisedat në atë kohë më të, kur thoshte: ‘Shiko, shumë mirë që po i bëni këto kanalizimet e ujërave të bardha e ujërave të zeza, rrugët dhe trotuaret, këndet e lodrave, por qyteti nuk jeton vetëm me llaç e tulla, qyteti jeton edhe me art, me kulturë, me filma, me teatër dhe nevojat e tjera për ushqimin shpirtëror”, u shpreh Veliaj.
Ai tha se kinemaja e re rikthehet me më shumë dinjitet dhe një dizajn të ri. “Së bashku me Dianën sot kthehemi në shtëpinë e dytë të Maksit, një nga projektimet e tij në vitet ‘70, i cili u zaptua gjatë viteve të tranzicionit. Të rikthehet sot me këtë dinjitet, me dizajnin e Maksit, me emrin e Maksit, por edhe me kondicionim, ndriçimin LED, sistemin anti-zjarr, hyrje-daljet e emergjencës; pra, një bizhu në zemër të Laprakës, i shton vlerë të gjitha investimeve të tjera. Kjo është qershia mbi tortë në të gjithë këtë transformim, që i kemi bërë këtij blloku në Laprakë”, u shpreh Veliaj.
Kryebashkiaku theksoi se me këtë investim merr më shumë formë ideja e një prej qendrave të Tiranës policentrike, ku Lapraka ka përfituar edhe një sërë investimesh të tjera të rëndësishme. “Më vjen mirë që ka pasur një efekt domino. Filluam me shkollën “Ahmet Gashi”, pastaj me fushën sportive, këndin e lodrave, kinemanë, Rr. “Pandi Dardha”, “Lord Bajroni” dhe gjithë lagjet e tjera. Me çeljen e kinemasë besoj se kemi ofruar, veç urbanizmit fizik, edhe urbanizëm shpirtëror për Laprakën”, shtoi ai.
Kinema “Maks Velo” do të shërbejë edhe si qendër për aktivitete kulturore dhe artistike. Ajo do u vijë në ndihmë artistëve të rinj, të cilët mund t’i përdorin këto mjedise për të shfaqur prodhimet e tyre. “Jo pa qëllim, një nga miqtë më të afërt të Maksit, profesor Kujtim Çashku, do të na japë një dorë ta animojmë këtë kinema. Infrastruktura nëse nuk animohet me shpirt njeriu, nuk ka vlerë. Mezi pres që në këtë partneritet të parë që do bëjmë me “Marubin” për kinemanë “Maks Velo” në Laprakë, të ndërtojmë edhe një etalon se çfarë do të thotë një partneritet midis publikes dhe akademisë”, theksoi Veliaj.
E emocionuar nga përfundimi i projektit, motra e Maks Velos, Diana, tha se kujtimi i tij dhe vepra artistike që la pas, do të mbeten të paharruara. “Jam shumë e emocionuar, e gëzuar, e mallëngjyer, për këtë nder të madh që i bëni vëllait tim. Falenderoj kryetarin e bashkisë, faleminderit miqve italianë, falenderoj Ministrinë e Kulturës. Kujtimi i Maksit, vëllait tim, do të mbetet i paharruar”, tha ajo.
Regjisori Kujtim Çashku e vlerësoi këtë nismë të Bashkisë së Tiranës, e cila gjallëron jetën kulturore nëpër lagjet e kryeqytetit. Ai theksoi se është edhe një gjest simbolik për të treguar sesa i gjatë do jetë rrugëtimi i Maks Velos. “Kam qenë dhe mbetem partizan i politikave policentriste, prej vitesh këmbëngul te kjo. Por, motivi kryesor që më solli këtu është se me Maks Velon kam kaluar një jetë. E quaj një nismë të mirëfilltë pozitive, jam i gëzuar, të gjithë duhet të jemi të gëzuar sepse me këtë gjëst simbolik kuptojmë sa i gjatë do të jetë rrugëtimi i Maks Velos”, tha regjisori i njohur.
Kinema “Maks Velo” ka jo vetëm një sallë multifunksionale, e cila do të shërbejë për aktivitete të ndryshme si kinema, shfaqje, konventa, seminare, promovime librash, teatër, por mjediset e reja të saj u vijnë në ndihmë edhe nxënësve, që studiojnë në shkollat në Laprakë, për organizimin e aktiviteteve të ndryshme kulturore, duke përmirësuar në këtë mënyrë edhe jetën artistike të zonës, e cila deri pak vite më parë ishte lënë e harruar duke mos njohur investime nga ana e shtetit. Ky rikonstruksion u mbështet financiarisht edhe nga qeveria shqiptare dhe ajo italiane.
/a.r