Ish-Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu ka folur prerë sa i përket ndryshimeve Kushtetuese të bëra në 2008, duke thënë se ato duhen ndryshuar patjetër, pasi sistemi nuk i shërben vullnetit të popullit.
“I shikoj si shumë të rëndësishme ndryshimet që duhet të bëhen. Ndryshimet që iu bënë kodit zgjedhor në vitin 2008 rezultuan të dëmshme dhe aspak të suksesshme, sikurse u trumbetua. Prandaj dhe Shtetet e Bashkuara, por edhe BE në të njëjtën linjë me ta kërkojnë me këmbëngulje kryerjen e kësaj reforme. Unë e kam theksuar gjithnjë që t’i jepet fund praktikës së ndryshimeve të ligjit zgjedhor, pa u konsultuar mirë. Pra duhet të ketë konsensus mes palëve dhe jo marrëveshje të fshehta midis individësh, të cilat e kanë dëmtuar rëndë procesin. Ende nuk e dimë nëse do të kemi në kohë një kod të përshtatshëm. Sepse koha ikën dhe ngushton afatet, por ku ka mungesë kohe, bëhen rregullime jo të plota të ligjit zgjedhor. Jemi i vetmi vend që pothuajse para çdo procesi zgjedhor jemi marrë me kodin, por asnjëherë nuk kemi arritur atë që duhet. Unë kërkoj që të zbatohen rekomandimet e OSBE/ODIHR-t, që komisionet zgjedhore të jenë të pavarura dhe me ekspertë”, thotë Moisiu.
Në një intervistë për “Dita”, Moisiu shprehet se duhet të jemi optimistë për ndryshimet megjithëse lojërat politike që vonojnë arritjen e një marrëveshjeje për ndryshimin e kërkuar na e zbehin atë. Gjithashtu ish-presidenti theksohet se ende në Shqipëri synohet që të zgjidhen të fortët dhe njerëz të pasur, pavarësisht se si e kanë vënë pasurinë.
“Duhet të jemi optimistë. Sensibilizimi për nevojën e këtyre ndryshimeve është mjaft i madh. Ka vite që flitet për to. Tani është momenti i duhur që këto ndryshime të bëhen. Sepse shumica absolute e shqiptarëve kërkon një kod të ri zgjedhor, ashtu si dhe një reformim të shpejtë e cilësor të sistemit të drejtësisë, reformim cilësor të sistemit përfaqësues. Mirëpo lojërat politike që vonojnë e vonojnë pambarimisht arritjen e një marrëveshjeje për ndryshimin e kërkuar na e zbehin optimizmin. E them këtë me keqardhje pasi shikoj se për fat të keq, në vendin tonë në përzgjedhjen e kandidaturave, si për deputetë ashtu edhe për funksione të rëndësishme, vazhdon të mos tregohet kujdes i duhur. Ende synohet që të zgjidhen të fortët dhe njerëz të pasur, pavarësisht sesi e kanë vënë pasurinë. Pikërisht kjo e fundit ka shumë rëndësi, pasi një pasuri e vënë dhe e shtuar në mënyrë jo të rregullt, kërkon të vazhdojë të shtohet po në atë mënyrë. Rrjedhimisht mjegulla do të vazhdojë të jetë mjegull, ashtu si e kërkon ujku”, thotë Moisiu.
Sa i përket Reformës në Drejtësi, Moisiu thekson se është në dobi të vendit, të reformave, të procesit integrues, të qytetarëve, të cilësisë së demokracisë dhe në fund mund edhe të jetë një çështje me interes pragmatist të partive të caktuara politike.
“Reforma zgjedhore dhe reforma në drejtësi janë me rëndësi kapitale për vendin tonë. Prandaj dhe e kam theksuar disa herë se nuk është koha të merremi me vogëlsira. Ata që e konsiderojnë veten “burra shteti”, duhet më shumë të mendojnë për të ardhmen e kombit dhe më pak për zgjedhjet e radhës. Ato që janë bërë gabim në të kaluarën, sikurse ndryshimet që u bënë brenda një nate në vitin 2008, duhet të korrigjohen patjetër.
Këmbëngul në ndryshimet që duhen bërë sepse sistemi ynë përfaqësues politik është i cunguar dhe nuk shpreh sovranitetin e popullit, siç kërkohet nga Kushtetuta. Sistemi zgjedhor i aplikuar prej vitit 2009 ka rezultuar problematik, ka kufizuar ndjeshëm konkurrencën politike, ka krijuar një parlament me prurje larg nevojave dhe pritshmërive publike, ka ulur besimin qytetar tek vota dhe ka krijuar një cikël të mbyllur, diskriminues dhe të diferencuar për aktorët konkurrues politik, kandidatët e pavarur, partitë e reja dhe të vogla, si dhe për grupet qytetare kritike ndaj sistemit. Komisioni aktual për reformën zgjedhore ka rastin, shansin dhe përgjegjësinë të ndërhyrje në thelbin e reformës për t’i dhënë fund praktikave të emërimit të shumicës së parlamentit nga kryetarët e partive kryesore, për t’i dhënë fund administrimit partiak të zgjedhjeve, për t’i dhënë zgjidhje shqetësimit të madh të korrupsionit elektoral”, deklaron ish-presidenti.
Gjithashtu ish-presidenti shprehet se ndërkombëtarët nuk duhet të mjaftohen vetëm me rekomandime, por bashkë me ekspertët tanë duhet të hartojnë një Kod Zgjedhor të nivelit europian.
“Komisionet zgjedhore nuk duhet të jenë nën tutelën e partive politike dhe të mobilizojnë militantët për të manipuluar votat dhe për të ndryshuar vullnetin e sovranit.