Muzeu Kombëtar i Çekisë ka hapur një ekspozitë të maskave të fytyrës me argumentin se beteja ndaj koronavirusit një ditë do të shënohet në historinë botërore.
Çekia ishte ndër vendet e para që e bëri të detyrueshme vendosjen e maskës në ambientet publike.
Vendi ka shënuar 8 mijë e 725 raste dhe 304 vdekje si pasojë e virusit deri më tani, duke rezultuar si një nga shtetet më pak të prekura në Europë.
Me fillimin e krizës së koronavirusit, numri i maskave industriale ishte i pamjaftueshëm, duke nxitur një përpjekje kombëtare për realizimin e tyre në kushtetet e shtëpisë.
“Ka një sasi të madhe të tyre dhe sot është e vështirë të thuhet se çfarë duhet t’i lihet brezave të ardhshëm. Maskat janë një simbol i situatës”, tha kuratorja Mira Burianova.
Ekspozita e vogël në Muzeun Kombëtar në sheshin Wenceslas të Pragës u përgatit nga dhjetra maska të dërguara nga qytetarët.
Ato përfshijnë motive popullore, modele argëtuese dhe flamurin kombëtar. Në ekspozitë, veçanërisht bie në sy edhe një maskë e realizuar nga një fëmijë me autizëm.
“Unë punoj në kujdesin shëndetësor dhe ajo që më interesoi më shumë, ishte se kur nuk kishim asgjë në spital, i gjithë kombi u ngrit dhe qepi maska për dy ditë. Njerëzit duhet të ndihmojnë njëri-tjetrin”, tha Ludmila Brazdova nga Brno.
Ekspozita është menduar të hapet ditën e hënë, në kohën kur qeveria ka menduar të zbusë masën për vendosjen e maskave me detyrim për qytetarët çekë në mjediset publike.
Duke filluar nga java tjetër, ata nuk janë më të detyruar të vendosin maskë kur dalin nga shtëpia, përveçse rasteve kur udhëtojnë në transportin publik apo futen në institucione apo ndërtesa publike.
/e.rr