Anëtarja e Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore, Rudina Hajdari thotë se, Ambasada Amerikane në Tiranë ka sugjeruar ndryshimin e sistemit zgjedhor në vend dhe implementimin e një sistemi që zbatohet aktualisht në Danimarkë.
“Ne duhet të gjejmë një konsensus lidhur me këtë pikë. Të zgjidhim çështjen e listave të hapura apo të mbyllura. Ambasada në email-in e saj ka cituar sistemin danez. Është njëlloj sugjerimi i një sistemi hibrid dhe duket një sugjerim i duhur për të arritur një konsensus në tryezë”, deklaroi znj. Hajdari.
“Shqiptarët e duan ndryshimin e sistemit dhe tani shohin një qëndrim të qartë të ambasadës amerikane. Duhet ta marrin shumë, shumë seriozisht këtë çështje. Është një rekomandim për të cilin duhet ë gjejmë vullnet politik për ta ndryshuar sistemin zgjedhor”, shtoi ajo.
Sipas deputetes, deri tani të tri palët në tryezë, PS, PD dhe LSI kanë treguar se nuk kanë vullnet për ndryshimin e sistemit zgjedhor.
Sistemi i propozuar është proporcional rajonal me korrektim kombëtar me lista të hapura, Me këtë sistem nëse një kandidat për deputet është i renditur në fund të listës, por merr shumë vota, atëherë mund të fitojë mandatin.
“Është njëlloj mënyre për të kapërcyer listën nga fundi. Bëhet përpjesëtimi i kandidatëve në momentin që një individ merr më shumë vota se sa lisa përcaktuese e kryetarit atëherë ti je në gjendje të marrësh atë vend që ta takon. Motivon përfaqësuesit dhe kandidatët dhe të punojnë sa më fort që të marrin vota”, u shpreh znj. Hajdari duke shtuarës ajo vetë do të dëshironte sistem proporcional kombëtar me lista të hapura.