Nga Bajram Peçi
Konflikti për ish ndërtesën e vjetër të teatrit, nuk është punë që i përket qëllimit: “Mbrojtje e vlerave të trashgimisë kulturore”. Vetëm ithtarë politikë që i përkasin asaj partie, që e ka bërë çështje të vetën (pa patur miell tjetër në thes) dhe e ka marrë peng, e mbron këtë tezë. Thelbi i saj është përçarja.
Modeli i sjelljes së palëve në konflikt gjatë 20 vjetëve “Teatër”, është përforcuar për të dy palët. Përfundimisht u shemb me një të rënë. Shteti mori kontrollin e territorit dhe ngelet të çojë para prokurorisë pengmarrësit.
Sa dimë e njohim mbi botën sociale, ajo që mbidallohet për çdo qytetërim e formacion ekonomiko-shoqëror është antagonizmi, papajtueshmëria mes klasave që shtypin e shtypen. Në këtë dallim, Shqipëria, kombi shqiptar, shquan për shkak të jetëgjatësisë së feudalizmit. Më tej, ende pa u zhvilluar kapitalizmi, përjetuam atë që u quajt komunizëm, por që për nga përqendrimi i pushtetetve mbart cilësi të rendit që zëvendësoi.
Nga kjo gjendje thamë se u larguam kur ndryshoi sistemi. Shumica e partive të krijuara në pluralizëm patën emrin e popullit, “Demo”, “Demokraci”, “Demokratike”, etj. Ishte vetëm emër se s’kish të ngjarë të ndodhte vërtet kështu. Thjesht u zëvendësua një luftë klasash me një tjetër luftë klasash, por tashmë me piramida të përmbysura. Demokracia e vendosur i përngjante një karikature, e cila, mirë a keq, njihet si gjini arti (!!!?)
Kur dallimet janë të qarta, siç ishte shoqëria jonë para Lufës së Dytë Botërore, secili kamp përsos bazat e pakënaqësisë së tij me tjetrin. Mirëpo ky sistem ra, u zëvendësua me një sistem tjetër. Në ’90-tën edhe ky sistem ra, u zëvendësua me këtë që kemi. Mosmarrëveshja shihet qartë që vazhdon. Atje i ka themelet, te përmbsja e rendit pas Luftës dhe do vazhdojë gjatë.
Në këtë përçarje merr pjesë çdo shtresë e shoqërisë. Si elitë shoqërore nuk mund të mbeten pa prekur edhe artistët. Janë thellësisht të përçarë. Njerëzit që kanë qëllime të ndryshme, zakonisht e kuptojnë se duhet të shmangin njëri-tjetrin dhe, kur të detyruar, ose do të negociojnë ose do të luftojnë.
Këta që mbronin ndërtesën, që sapo u rrënua tërësisht janë me bindje anëtarë të partisë së Sali Berishës, udhëheqësi klanor, i cili kur ishte kryeministër këtë ndërtesën “Teatër Kombëtar” e hoqi nga lista e objekteve me status “Monument kulture’. Kishte idera. Ja se si:
Në nëntor 2010, Berisha kryeministër fliste në Komitetin shtetëror të ndërtimit. “…Teatri Kombëtar merr një sallë mbretërore, një nga sallat më të bukura…me arkitekturë dinjitoze…”, etj., etj. Nuk e ka fjalën për këtë teatrin që mbrojnë tani salirat e tjerë e organizimet paramilitare, për të mos u prishur! Jo, jo, e ka fjalën për piramidën. Dhe nisi aksionin për të bërë teatër të ri.
Diku te 5 a 6 milion euro u caktuan fillimisht. Tenderat i fituan Santa Corona Unita dhe Don Korleonet. E ashtuquajtura “Piramidë” u zhvesh nga mermeri që vishte sipërfaqet e jashtme, i shkatërruan dyert e hyrjes dhe…ikën. Kaq!
Askush nga këta që e quajnë veten artistë, por që e ndyjnë emrin e artistit, nuk u çua atëbotë të thoshte se: ne nuk duam teatër të ri se e kemi teatrin!
Siç shihet, palët kanë qëllime të papajtueshme. PD-së dhe LSI-së i intereson t’i shfrytëzojnë qëllimet. Ata u prirën të zhytin politikën te çështja “Teatër”, siç e futën veten në dhjetra mikro-konflikte dhe episode të tjera, që lidheshin me protesta, si Astiri, Parku i Madh, stadiumi, Pazari i Ri, etj.
E mbetur e çarmatosur, pa vizion, pa program, opozita e Bashës këto 6 muajt e fundit ka shfrytëzuar edhe dy fatkeqësi natyrore për të rrëzuar Ramën: tërmetin dhe Coronavirusin. Tani, prej naivitetit të çuditshëm të Ramës, që ende nuk ka filluar të vërë një tullë për ndërtimin e strehës së të pastrehëve nga tërmeti, opozita shpreson të na mobilizojë kundër tij e të na përfshijë në vorbullën idiote të një konflikti të krijuar, në qendër të së cilit qëndron një ndërtesë e degraduar, tashmë e rrëzuar. Dhe rreket ta mposhtë, duke u lutur që ndonjë polic ta lënë nervat dhe të fillojnë molotovët.
Qëllimet mbi prishjen e teatrit janë të nënkuptuara për sjelljen tonë. Përcillet lajmi se “Shteti funksionon”. Merret me mend se qeveria ka rolin parësor për të luajur në dëgjimin e ankesave dhe zbatimin e marrëveshjeve. Sidoqoftë, këto synime të nënkuptuara janë në thelb të pandashme mes palëve. Një zë politik fitohet për shkak të zotërimit të pushtetit dhe kujt i është dhënë e drejta e ushtrimit të pushtetit, ajo zgjedh: t’i vazhdojë negociatat me palën kundërshtuese apo të vendosë njëanshëm. Dhe kështu ndodhi! Ky model është një trashëgimi e zakonshme e vendeve demokratike europiane.
Jemi dukshëm të përçarë si popull. Burimet sistematike të fërkimit rrjedhin prej elitave (?!), nëse do t’i quajmë kështu këta drejtues partish, deputetë e ish deputetë. Këta njerëz e shohin rendin në funksion të qëllimeve që kanë. Është e vërtetë se ka prej tyre të aftë dhe të arsimuar, që dinë të përshtaten me kushtet e reja. Fatkeqësisht kjo shtresë është minoritet.
Taktika dhe strategjia e opozitës në luftën për pushtet, ku në mesin e saj, në kundërshtim të hapur me kushtetutën, shquhet edhe presidenti, synon paraprakisht të cënojë orvatjen që po bëhet për t’u qytetëruar, duke reformuar organet e drejtësisë. “Njerëzit e vendeve të përçara…nuk pajtohen se cili qytetërim është mirëfilli qytetërimi i tyre”-përshkruan filozofi Hantington.
Shqiptarët, duke qenë të përçarë, ende nuk janë në gjendje të vendosin nëse duhet të perëndimorëzohet kultura e tyre e jetesës së detyrueshme në grupe shoqërore të ndryshme?