Shkrimtarja Elvira Dones, një mbështetëse e Edi Ramës në opozitës, shprehet e zhgënjyer me qeverisjen e këtij të fundit.
“Erdhën në pushtet si shpresa e re e Shqipërisë. I vunë vetes një emër të bukur e domethënës: Rilindje.
U treguan të shpejtë në ngrënien e premtimeve. Rilindja u zbeh e u zvordh e u nëpërkëmb me shpejtësi rrufeje.
Sot kanë vënë një vend e popullin e tij në gjunjë. Ia kanë vrarë frymën, ia kanë lodhur shpirtin përtej çdo imagjinate.
I kanë hedhur para syve popullit ca ngjyra e ca lulka, ca imazhe të filmuara e orkestruara me mjeshtëri artistike.
Fasada të zbrazëta, gënjeshtra në ditë të diellit imponuar me agresivitetin e një bande prej Far West.
Po s’na u binde, e di se ç’të pret. Nëse nuk je dakord, o popull, është faji yt që nuk e sheh madhështinë tonë, sepse nuk ke instrumentat për të kuptuar.
Ne jemi kaq përpara në vizion, sa ti o popull bukëshkalë nuk na rrok. Kështu që rri urtë, nëmospo të bëjmë të vdesësh, pa të vrarë me plumb.
Të vrasim me kotheren e bukës, me pjatën e gjellës në darkë për fëmijët.
Të shantazhojmë e frigojmë me vëllain a motrën që ta heqim nga puna, të djegim tokën rreth e rrotull.
Erdhën në pushtet si qeveria e Rilindjes. Sot janë Qeveria e Riciklimit, të shumëanshëm, Qeveria e Parave të Qelbura. As më shumë as më pak.
Sot janë makthi i një vendi, i çdo vendi që do kish fatkeqësinë t’i kish sipër kokës.
Por me pasqyrën këta njerëz kanë një marrëdhënie të çuditshme. E shohin veten të bukur.
Kush nuk i sheh kështu është idiot, antishqiptar, naiv, i shitur tek opozita – në më të mirën e rasteve.
Kush nuk ua bën të lehtë yryshin e gllabërimit, duke ua bërë t’u hasë sharra në gozhdë – duke i bërë shumë nervozë – etiketohet si trushpëlarë, i çmendur e epitete të tjera, njëri më me spec se tjetri.
Studentët më parë dhe qëndrestarët e Teatrit Kombëtar sot treguan e po tregojnë se Shqipëria ka ende një puls që rreh.
Edhe sikur vetëm njëri prej qëndrestarëve të mbetet në atë fushë beteje, ai njeri i vetëm do t’ju tregojë, zotërinj, se Shqipëria që po mbysni nuk ka vdekur. Jo ende”, shkruan shkrimtarja, e cila prej vitesh nuk jeton në Shqipëri.
g.kosovari