Pas vrasjes makabre të komshiut dhe të afërmit të tij Ramandan Çela në fshatin Jaupas të rrethit të Skraparit mbrëmjen e së henës,autori i kësaj ngjarjeje të rëndë është përballur sot me “togat e zeza” të Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, për tu njohur me masën e sigurisë.
Vrasësi 37-vjeçar Hamza Çela është transportuar drejt Gjykatës së rrethit të Beratit nën masa të rrepta sigurie, ndërkohë që në seancë nuk është lejuar prania e medias për shkak të situatës pandemike nga virusi Covid-19. Gjatë seancës që zgjati rreth 1 orë mësohet se prokurori i çështjes Tasim Puci ka kërkuar vlerësimin të ligjshëm të arrestimit të tij dhe ka kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg”.
Gjyqtarja Adelajda Gjuzi pasi ka dëgjuar palën akuzuese dhe atë mbrojtëse që për shkak të problemeve mendore të 37-vjeçarit që nuk është i pajisur me raport mjekësor ka kërkuar shtrimin në Spitalin Psikiatrik në Vlorë,e ka cilësuar të ligjshëm arrestimin e tij në flagrancë dhe ka vendosur për të masën e sigurisë “arrest me burg” pa afat.
Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Jaupas të rrethit të Skraparit mbrëmjen e së Hënës. 77-vjeçari Ramadan Çela u masakrua me thikë nga i afërmi i tij Hamza Çela, që sipas dëshmive të nipërve të viktimës në vendngjarje, i kishte prerë atij kokën,damarët e duarve e të këmbëve dhe i kishte nxjerrë zemrën jashtë. 77-vjeçari Ramadan Çela,që prej vitesh jetonte në qytetin e Poliçanit,ishte kthyer në shtëpinë e vjetër që kishte në fshatin Jaupas për tu marrë me tokat bujqësore dhe pemtarinë,por duke vaditur tokat e mbjella me domate ai u qëllua nga prapa me thikë nga Hamzai dhe pasi ra në tokë u masakruar nga autori,derisa gjeti vdekjen nga gjakëderdhja.
Autori që shëtiti me thikë në dorë dhe me bluzën e lyer me gjak nëpër fshat u kap nga policia gjysëm ore pas vrasjes në përpjekje për tu larguar nga fshati.
/e.rr