Nga Bajram Peçi
Gjërat i erdhën si t’i kish rregulluar me dorë. I riu revolucionar i tip gardist lejfenist, nuk rreshte së lodhuri, duke i rënë kryq e tërthor spitalit, ku viktimat e tij do shpresonte të ishin djelmosha me flokë paksa më të gjata dhe pantallona të gjëra. Pse jo dhe ndonjë mjeka a infermiere që lyente buzët e vishte minifund! Besnikëria e fanatizmi i tij ndaj revolucionit, shpejt ja behu ta vendoste te lista e mjekve që do merrnin një specializim në Francë. Më pas, vjen përkushtimi i admirueshëm në ndjekjen e analizave të urinës së shokut S. dhe futja në grupin e mjekëve që do i shërbenin udhëheqësit. Nuk ka pse ju duket vulgare qëllimi i tij për t’u miqësuar me fëmijët e të “Parit”. Vardisja i dha frytet e saj: u bë i njohur në rrethet e larta të “bllokut”.
Kur sistemi në Lindjen komuniste mori rrokullimën, anëtarët e Partisë së Punës e kishin braktisur shpirtërisht atë. Rumania do niste ta përmbyste me dhunë dhe Bashkimi Sovjetik do shpërbëhej me dëshirë, ndaj s’kishte pse të mos ndodhte edhe tek ne ndryshimi? Ky është momenti kur partia e ndjerë në rrezik e fton të shkojë te studentët.
Si vajti e qysh vajti, pak rëndësi ka!? Ajo që vlen të përmendet është se pluralizmi u vendos edhe kundër gjërave që u tha studentëve. Ndonëse nuk ishte pjesë e mbledhjes themeluese të PD-së, u vu shpejt në epiqendër të saj. Mirëpo, në mbledhjen e parë, kur do bëheshin zgjedhjet, “intelektuali i shquar” mbeti thellësisht i zhgënjyer: nuk u zgjodh në krye. Me besnikët e tij ja bëri të mundur që shpejt të bindëte atë e këtë, që të kërkonin anullimin e zgjedhjeve, me këtë e atë arsye. Dhe ja arriti! Mbledhja që pasoi e solli në krye të postit që lakmonte.
Në entuziazmin e përgjithshëm dhe erën e re, mjeku President pati një kryeministër i cili mbajti parasysh që, krahas emërimeve politike, të linte në administratën e lartë shtetërore edhe nëpunës në karrierë. Po, sa shërbeu kjo? Rrokopuja dhe rrumpalla kish filluar. Së bashku me rrënimin e industrisë “jo rentabël”, që u shoqërua gradualisht me kënetëzimin e ultësirave, fillon kalvari i vuajtjeve të Shqipërisë dhe hedhja e lopatave të para në varrin e sapo hapur të ekonomisë e demokracisë shqiptare.
Se çfarë pëson Shqipëria dhe populli i saj gjatë sundimit të tij, është e tepërt ta shkruajmë, se thjeshtë do sjellë dhimbje koke. Janë vitet pamëdyshje më të pështirat e denigruese të kombit, që i sigurojnë atij sot një vend në kujtesën negative të popullit (të atij populli që nuk e do). Jam i bindur se Berisha nuk kishte atëbotë asnjë mendim, përvojë e njohje praktikash për instalimin e rendit demokratik! Përveç të vetmit mendim serioz në kokën e tij, atij që i vlerësonte veten, s’dalloj të dinte gjë tjetër.
Ndonëse sot te PD-ja nuk ka asnjë nga anëtarët themelues të saj, atë kohë rreth partisë së shpresës ishin afruar autoritete intelektuale, që kishin qartësi mendimi për rrugën ku do shkelnin në ekonomi, legjislacion e demokratizim. Por ky hokatari shpejt ua tregoi vendin, i përjashtoi! Arsyeja ishte se nuk duronte të shihte afër tij të tjerë. Zoti i ardhshëm i Shqipërisë do ishte ai dhe afër tij e pushtetit do ishte kushdo tjetër që ishte i gatshëm të dëgjonte dhe të vepronte siç ai fliste dhe mendonte. Idenë fikse të ushqyer çdo ditë, po bën vite që e pamë të jepte frytet e veta: instalimin e një sistemi politik të mbrapshtë, të brishtë dhe katandisjen e partisë si afërsisht një feud, pronë private.
Si kur ishte në pushtet dhe kur ndodhej në opozitë, u kap fort pas nofkave (të menduara herë si fyese, herë si qesharake) për kundërshtarët politikë apo çfardo qofshin. Mjaftonte t’i shihta ata në anën tjetër të gardhit. Nofkat fyese u shndërruan shkëmbi ku kapej me të gjitha forcat. Kanë qenë të pakët ata që shpëtuan nga nofkat e hokatarit. Nga “karrigethyerët” e Cekës te “narkoshteti” për Shqipërinë e qeverisur nga “Edvin droga”. Paburrëria e hokatarit vrehej rëndom kur gjente e vinte nofka për gratë, ato socialiste, ministre e deputete, apo gratë e familjeve të kundërshtarve politikë. Kur i shqiptonte nga foltorja e kuvendit, buzët i shkonin vesh më vesh, mjaulliste dhe zgërdhihej nga kënaqësia që i sillte gjetja e tij “e hollë”.
Mirëpo vjen një ditë që zotëria e tij, si në media, si në statuset e përdoruesve të facebukut, e thërrasin në nofkën që zgjodhi pa dashur vetë: “doktor vdekja” ose “doktor mortja”.
Ndodhi kështu se ish mjeku u rropat te muri i turpit të qytetarit digital të sillte sa më shumë vdekje nga pandemia. Infeksionin e pa si të rënë nga qielli për opozitën jashtëparlamentare, për të mbërritur te qellimi: rrëzimi i Edvin Kristaq Rama narkomanit. Të rrëzohej kryeministri dhe partia e tij e krimit nga pushteti dhe të vinte në pushtet zari i familjes së tij, ja vlente që infeksioni i koronavirusit të çonte ndonja disa mijëra në varr. U lut, u përdrodh, akuzoi pushtetin, mjekët, infermierët, madje dhe rojet e spitalit dhe ata të varrezave, se po gënjenin, po mashtronin, po manipulonin shifrat. Të vdekurit po fshiheshin. Dhe ai ka dëshmitarë të besueshëm: Titin, Monën dhe Voltën.
Ai, si qytetar digital, shkruan e shkruan pa rreshtur te fejsbuku, por jo nga Tirana–vatër infeksioni. Vetë, pavarësisht gojëve të këqija, ka ngelur i varfër, por falë trafikut të influencës, fëmijët janë pasuruar shpejt. Tani nuk jetojnë te lagja Brakë por kanë një vilë luksoze disa million dollarshe në bllokun e ri të udhëheqjes, në Lalëz. Prej andej “Doktor vdekja” ndjek me ankth se si vdesin burrat e fëmijët, lënë pa mbrojtje e në mëshirë të infeksionin koronavirus, sepse nuk u bënë tampon, se s’kishin strategji, se populli nuk i merr vesh vdekjet e shumta, ngaqë varrosen në fshehtësi. Me një fjalë, të të ngjitet i vjellët në grykë.
Tani ky hokatari me gjumë të prishur ndodhet i mbërthyer te i njëjti shqetësim ironik që rrethonte dikur inteligjencën e tij: nofkat përqeshëse. Ky biçim demoni, kush ska dashur deri tani t’i përmendëte emrin se i krijonte alergji, tani gjërat janë thjeshtuar. Thirreni “Doktor vdekja” dhe ja keni thënë të gjitha! Hiqet kështu një pengesë që e ndante atë nga populli.