Mjeku Tritan Kalo ka shpjeguar se përse ai nuk beson se COVID-19 nuk ka qenë i pranishëm që në janar të këtij viti, apo në dhjetor në Shqipëri, pavarësisht debateve të fundit në vend. Ai ka sjellë disa argumente, ndërkohë që thekson se rëndësi më shumë ka mënyra se si vendi e menaxhoi situatën e vështirë.
“Pikë së pari, gjatë kësaj periudhe u shfaq grip, por nëse e krahasojmë me vitin e shkuar, numri i të infektuarve nuk u shtua më shumë. Gjithashtu po të shikojmë, nuk kemi një rritje të numrit të të vdekurve. Për më tepër që edhe në spitale nuk pati një fluks pacientësh”, tha ai në emisionin “Open” duke shtuar “Por ajo që ka më shumë rëndësi, përveçse virusi ka qenë në shkurt apo mars është që, u menaxhua mirë situata, kjo duke parë edhe paktin që pati te fqinjët tanë”.
Mjeku Kalo i ftuar në emisionin tha se pavarësisht shifrave të ulëta të rasteve të reja me Covid-19, duhet të jemi vigjilentë dhe të respektojmë masat.
“Shifra 4 përkon me numrin 4 të rasteve të para. Me të infektuarit e parë në mars. Por shifra e ulur nuk duhet të na shtyj drejt një optimizmi të rremë, por duhet të na bëjë më vigjilentë”- tha Kalo.
Më tej, mjeku tha se duke respektuar masat, higjienën dhe distancimin social, do të mund të shkojmë drejt atij që Kalo e quajti optimizëm real.
“Nëse respektojmë distancimin fizik, të mos neglizhohet higjiena dhe hapja të jetë e kujdesshme bashkë me sjelljen tonë, kjo do na shtyjë drejt optimizmit real. Ditët në vijim me hapjen që po ndodh, me liberalizimin e masave do të fitojmë një pamje reale të asaj çfarë ndodh në popullatë.
Kujdesi ndaj vetes, ndaj distancimit fizik, ndaj higjienës e rikthimi në punë duke zbatuar masat, shpresojmë mos të kemi përplasje me këtë infeksion”, shtoi mjeku Tritan Kalo.