Nga Alfred Peza
Liderët e PD i ka thënë JO ftesës së Kryeministrit Rama, për tu ulur në një tryezë të përbashkët si shprehje e unitetit kombëtar, në procesin e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me BE. Ky refuzim ishte i pazakontë kur vjen puna tek procesi i integrimit. Por i pritshëm po të kemi parasysh steriotipin e sjelljes opozitare, për të mos qenë luajale e bashkëpunuese me mazhorancën, për asnjërën nga çështjet sado të rëndësishme apo të parëndësishme që ka qenë.
Kjo vijë e sjelljes politike, ka qenë një konstante e pandryshuar për PD jo vetëm nga 2013 e deri më sot, por edhe gjatë periudhave të tjera në opozitë, në historinë e saj 30 vjeçare. Por në ndryshim nga më parë, PD nuk po bën më asnjë dallim mes çështjeve që burojnë nga dallimet partiake dhe atyre me rëndësi kombëtare e interes strategjik, për të sotmen dhe të ardhmen e vendit.
Është në thelbin e opozitave që të jenë kundër programeve, politikave e pikëpamjeve të mazhorancave, përmes argumentave, programeve dhe qëndrimeve alternative. Kjo i ofron opinionit publik, një pasqyrë më të qartë për mirë qeverisjen e vendit sot, përmes një prespektive ndryshe për të ardhmen.
Por nëse për çdo gjë që i propozohet, një parti politike e zëvendëson alternativën opozitare me një JO permanente, atëherë më shumë sesa mazhorancën kjo qasje dëmton në radhë të parë opozitën vetë dhe interesat e opozitarëve, duke ndikuar edhe tek cilësia e demokracisë në Shqipëri.
E mbani mend besoj sesi kjo opozitë i tha JO reformës për ndarjen e re administrativo- territoriale të vendit. Më pas u pendua që nuk u ul në tryezën e Parlamentit, për tu bërë pjesë e vendimarrjes që ka sjellë një impakt të ri në pushtetin lokal dhe në jetën e qytetarëve, në të gjithë territorin.
Kjo opozitë i tha JO çdo nisme tjetër dhe çdo reforme të ndëmarrë nga mazhoranca këto 7 vjet. Të detyruar nga presioni i SHBA dhe BE, përfaqësuesit e PD dhe LSI e votuan me kokën ulur reformën e madhe në drejtësi. Por më pas, duke dashur që ta minojnë atë, dogjën mandatet e deputetëve. Duke i thënë JO jetës parlamentare dhe sistemit politik e pluralist të vendit, përmes opozitarizmit të rrugës.
“Opozita e Bashkuar” i tha JO zgjedhjeve të 30 qershorit 2019. Sikundër i tha JO bashkëpunimit me qeverinë për çështjet madhore të tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit. I tha JO luftës në një front të përbashkët, kundër virusit vrasës Covid-19, si e gjithë bota e qytetëruar përgjatë pandemisë globale.
Kjo sjellje është e kundërt me atë që mazhoranca socialiste ka reflektuar gjatë kohës që ka qenë në opozitë. Pakkush mund ta kujtojë sot 12 qershorin e 2006, kur drejtuesit më të rëndësishëm të PS ishin përkrah Kryeministrit Sali Berisha në Luksemburg, kur u firmos Marrëveshja e Asociim-Stabilizimit të Shqipërisë me BE. Sikundër edhe për anëtarësimin e vendit në NATO dhe liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë në hapësirën Shengen, etj.
Që Partia Demokratike i ka thënë JO të gjitha nismave, ligjeve, reformave dhe sfidave që ka përballuar mazhoranca socialiste në këto dy mandate të qeverisjes së vendit, nuk është ndonjë akt që habit më shumëkënd brenda dhe nga ndërkombëtarët e interesuar për zhvillimet në Tiranë. Por është hera e parë që një JO e tillë, vjen edhe për ftesën e uljes në një tryezë të përbashkët, për një hap konkret të procesit të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Kjo JO është shqetësuese jo se erdhi fillimisht nga Berisha e Nishani e në fund edhe nga Lulzim Basha, por sepse përmes saj, kjo opozitë po prish sot një traditë të vyer prej tri dekadash, për të cilën palët politike në vend edhe në ditët më të errëta të demokracisë post komuniste, kanë ditur që të ngrihen mbi interesat partiake, për tu bërë bashkë për interesat tona kombëtare.
Nëse vazhdon në këtë rrugë edhe përgjatë 12 muajve të ardhëshëm, që na ndajnë nga zgjedhjet e reja parlamentare të qershorit 2021, atëherë ky lloj opozitarizmi është thjeshtë një kundëralternativë për zgjedhësit. Shqiptarët kanë ditur gjithmonë ti thonë PO, ofertës më të mirë, me votën e tyre. Duke patur këtë radhë përpara, vetëm alternativën e ofruar nga mëzhoranca, opozita shqiptare thjeshtë sa po ja lehtëson akoma edhe më shumë zgjedhjen shqiptarëve!