Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, përshëndeti sot 9 Majin, Ditën e Europës. Në mesazhin e tij kryeparlamentari Ruçi shprehet se qasja e BE ndaj Ballkanit Perëndimor, nuk është thjesht politikë zgjerimi, por rikthimi i ballkanasve në shtëpinë e tyre.
Sipas Ruçit, me përfundimin e këtij projekti, e gjithë familja europiane do të kthehet në shtëpinë europiane. Ai i shpreh mirënjohje të gjithë atyre që i janë përkushtuar dhe kontribuojnë për këtë projekt. “Jam krenar që çelja e negociatave u arrit duke u shërbyer shqiptarëve si Kryetar i Kuvendit të tyre dhe si rezultat edhe i përpjekjeve e kontributit të Kuvendit të Shqipërisë”, shprehet ndër të tjera Ruçi.
MESAZHI I PLOTË
“Është një koinçidencë e bukur që Dita e Europës pason Ditën e fitores mbi fashizmin, mbarimin e Luftës së Dytë Botërore në kontinentin tonë dhe çlirimin e Europës. Prandaj Dita e Europës është Dita e Lirisë. Liria dhe të drejtat qytetare janë thelbi i Bashkimit Europian. I cili nga ana e tij është një ndër projektet më frymëzuese të njerëzimit. Europa është sinteza e vlerave perëndimore. Qytetërimi perëndimor është një ndër kulmet e zhvillimit bashkëkohor të njerëzimit. Ky qytetërim është i hapur dhe paqësor me qytetërimet e tjera dhe kjo hapje është tipari më emancipues i Europës. 9 Maji 2020 është e para Ditë e Europës, pasi Shqipëria ka merituar konsensusin e Këshillit Europian për çeljen e negociatave të anëtarësimit. Qasja e Europës ndaj Ballkanit Perëndimor nuk është thjesht një politikë zgjerimi, por rikthimi i ballkanasve në shtëpinë dhe familjen e tyre. Me përfundimin e këtij projekti, e gjithë familja europiane do të kthehet në shtëpinë europiane. Mirënjohje të gjithë atyre që i janë përkushtuar dhe kontribojnë për këtë projekt. Një përshëndetje të veçantë kam sot për emigrantët shqiptarë, këta europianë shqiptarë, që i kanë lartësuar emrin atdheut të tyre në vendet e Bashkimit Europian. Jam krenar që çelja e negociatave u arrit duke u shërbyer shqiptarëve si Kryetar i Kuvendit të tyre dhe si rezultat edhe i përpjekjeve e kontributit të Kuvendit të Shqipërisë.”, shkruan Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, në përshëndetjen e tij me rastin e 9 Majit, Ditës së Europës.
/e.rr