Presidenti Donald Trump thotë se beson që media po e trajton më keq se ç’ka trajtuar presidentin Abraham Linkoln, që udhëhoqi vendin gjatë Luftës Civile dhe u vra me atentat në 1865.
“Ballafaqohem me një shtyp armiqësor, një shtyp që nuk e ka provuar asnjë president më parë. Ndoshta më afër kësaj ekperience ka qenë ky zotëria këtu,” tha Presidenti Trump, duke folur nga Përmendorja e Linkolnit në Uashington.
“Gjithmonë thuhej, ‘Askush nuk është trajtuar aq keq sa Linkolni’. Po tani mendoj se unë po trajtohem më keq,” tha presidenti.
Reagimi i presidentit për shkëmbime negative, tendencioze me median pasoi një pyetje nga një infermiere në pension dhe konsulente për nxënësit e një shkolle fillore.
Ajo shkruante në mesazh se përshëndeste presidentin për “përkushtimin e madh ndaj vendit,” duke shtuar se kërkonte sqarim për prezantimin dhe ngrinte pyetjen përse presidenti “përdor fjalë që mund të cilësohen si terma bulizmi dhe përse nuk u përgjigjeni drejtpërdrejt pyetjeve të gazetarëve, por merreni me numërimin e sukseseve tuaja e flisni kuturu?”
Ajo i bënte thirrje presidentit të hiqte dorë nga sjellje që i irritojnë pasuesit e tij.
Presidenti e falenderoi qytetaren amerikane për pyetjen. Më pas, ai sulmoi gazetarët duke i akuzuar për “pyetje të pacipta”. Pjesa më e madhe e medias është njësoj sikur të jenë anëtarë të Partisë Demokrate, tha presidenti.
“Më duket se po të sillem mirë me ta (gazetarët), do më marrin nëpër këmbë,” tha zoti Trump.
“Kur dal në publik para gazetarëve, në vend që të më bëjnë pyetje normale, shoh një nivel zemërimi e urrejtjeje, aq sa i pyes “Si e keni hallin? Ku qëndron problemi?”