Presidenti i FSHF, Armand Duka ka uruar homologun e tij kosovar Ademin për 4-vjetorin e pranimit të Kosovës në UEFA.
Duka thotë se tashmë Kosova ka vendin e merituar në panoramën e futbollit europian. Po ashtu ai thotë se për shkak të marrëdhënieve vëllazërore së bashku do të zhvillojnë projekte për rritjen e futbollit shqiptar.
LETRA E ARMAND DUKËS
I nderuar z. Ademi!
Me përvjetorin e katërt të pranimit të Kosovës në UEFA, kam nderin dhe kënaqësinë t’ju përcjell në emrin tim dhe të të gjithë anëtarëve të familjes së futbollit në Shqipëri urimet më vëllazërore për këtë ditë historike për Kosovën
Ëndrra e shumë brezave në Kosovë tashmë është realitet i prekshëm. Kosova prej 4 vitesh është bërë pjesë e familjes europiane të futbollit si anëtare me të drejta të plota. Puna e madhe e bërë nga Presidenti Vokrri dhe ju sot kanë bërë që Kosova të ketë vendin e merituar në panoramën e futbollit europian. Kjo arritje na bën krenar dhe jemi optimist se do të keni një të ardhme të ndritur përpara, me fitore dhe suksese të cilat na kënaqin dhe gëzojnë pa masë.
Marrëdhëniet tona vëllazërore dhe institucionale janë dhe do të jenë në nivelet maksimale të bashkëpunimit. Sëbashku do të zhvillojmë projekte të rëndësishme për rritjen e futbollin shqiptar.
Përshëndetje të përzemërta,
Armand Duka
President i FSHF-së
/e.rr