Udhëheqësit e BE-së janë zotuar se do të mbledhin miliarda për të fituar luftën globale ndaj coronavirusit. Duke u shprehur se po mbështesin thirrjen për veprim të përbashkët të Organizatës Botërore të Shëndetit, udhëheqësit njoftuan nisjen e një platforme globale të bashkëpunimit për të përshpejtuar dhe shkallëzuar kërkimin, zhvillimin, hyrjen dhe shpërndarjen e barabartë të vaksinës apo trajtimeve të tjera terapeutike dhe diagnostikuese për shpëtimin e jetës.
Të hënën, më 4 maj, ata planifikojnë të mbledhin një shumë fillestare prej 7.5 miliardë eurosh në një konferencë online në internet – fonde që janë vetëm fillimi i asaj që duhet të mblidhet për të luftuar COVID-19, thanë ata.
Në një deklaratë, udhëheqësit e vendeve të BE-së shkruan: “Nëse ne mund të krijojmë një vaksinë që është prodhuar nga bota, për të gjithë botën, kjo do të jetë një e mirë publike unike globale e shekullit XXI. Së bashku me partnerët tanë, ne angazhohemi ta bëjmë atë të disponueshme, të arritshme dhe të përballueshme për të gjithë”.
Nënshkruesit e kësaj deklarate ishin: Charles Michel, President i Këshillit Evropian; Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Europian; Giuseppe Conte, Kryeministër i Italisë; Emmanuel Macron, President i Francës; Angela Merkel, Kancelare e Gjermanisë; Erna Solberg, Kryeministre e Norvegjisë.