Lidhja Demokratike e Kosovës ka shtyrë publikimin e emrave të ministrave, pas pezullimit të dekretit të presidentit për Qeverinë e re.
Për përbërjen e kabinetit, kjo parti do të presë vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese, i cili pritet të merret gjatë këtij muaji.
Ndërsa, burime të KOHA-s kanë bërë të ditur se ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, nuk ka pranuar të jetë pjesë Qeverisë Hoti, të cilën LDK-ja synon ta formojë me AAK-në, NISMA-n dhe minoritetet, raporton KTV.
Një gjë të tillë, nuk e ka mohuar, por as pohuar sekretari organizativ i LDK-së, Arban Abrashi në një konferencë për media të shtunën.
Sipas burimeve, në mbledhjen e djeshme të kryesisë pakënaqësi për këtë koalicion kanë shprehur edhe Gazmend Muhaxheri, Anton Quni dhe Imri Ahmeti.
Por, Abrashi ka thënë se nuk ka pasur përplasje.
Përveç LDK-së, vendimin e Kushtetueses ka thënë se do ta respektojë edhe partneri i mundshëm i saj, AAK-ja.
Masa e përkohshme e Kushtetueses ndaj dekretit të presidentit për mandatarin Avdullah Hoti, do të zgjasë deri më 29 maj.
g.kosovari