Projektbuxheti i propozuar për vitin 2016 nga Ministria e Financave ka pësuar disa ndryshime. Me vendim të qeverisë, nuk do të ketë rritje taksash, por mungesa të ardhurave do të kompensohet me ulje të shpenzimeve. Në projektbuxhetin 2016 qeveria ka shkurtuar shpenzimet e përgjithshme buxhetore me 1 për qind në krahasim me këtë vit. Sipas draftit që është ende në përpunim e sipër, të ardhurat ruajnë një tendencë rritje me 5 % në krahasim me parashikimin e këtij viti.
Nga 398 miliardë lekë të planifikuara për t’u grumbulluar këtë vit, gjatë vitit 2016 planifikohen të grumbullohen 418 miliardë lekë ose 5 për qind më shumë se pritshmëritë e këtij viti. Ministria e Financave është treguar më pak optimiste se një vit më parë në lidhje me të ardhurat, për shkak edhe të mosrealizimit të tyre gjatë këtij viti.
Ndërkohë në zërin e shpenzimeve, qeveria ka vendosur të mbajë ato nivele më të ulëta se të këtij viti. Nga 456 miliardë lekë të planifikuara për këtë vit, pritet që më 2016 mos të shpenzohen më shumë se 452 miliardë lekë.
Shkurtimet janë rreth 38 miliardë euro. Burimet nga Ministria e Financave bëjnë të ditur se deficiti buxhetor pritet të ulet me 40 për qind. Këtë vit vendi kalon në suficit primar duke marrë një borxh të ri vetëm 34 miliardë lekë nga 58 miliardë lekë që janë planifikuar këtë vit. Në buxhet është parashikuar që kostoja e shërbimit të borxhit do të jetë më e ulët se deficiti buxhetor.
Ndërkohë, projektbuxheti për vitin e ardhshëm pritet të dorëzohet në Kuvend ku do të diskutohet në komisionet parlamentare e votuar më pas në seancë plenare.
Balkanweb