Beteja për qetësinë gjatë karantinës ishte temë e diskutimit në emisionin “Java në RTSH” ku z.ministrja Romina Kuko dhe psikologia Jorida Rustemi ndanë me publikun detaje rreth masave si dhe këshilla.
Në panelin e drejtuar nga analisti Lorenc Vangjeli, zv.ministrja e Punëve të Brendshme tha se pavarësisht masave izoluese për shkak të pandemisë, nuk duhet ushqyer iluzioni se krimi është karantinuar. Kuko u shpreh se fatkeqësisht ‘paqja’ e krijuar në rrugë, nuk është krijuar edhe brenda disa elementëve të krimit.
“Pandemitë kanë sjellë gjithmonë një shpërthim të mëpasshëm të impulseve. Por ju siguroj se pavarësisht situatës ku policisë i duhet të përballet ne vijën e parë me pandeminë, vëmendja ndaj fenomeneve të tjera nuk mungon” – siguroi Romina Kuko.
Ajo shtoi se këto 8 javë të izolimit, policisë i është dashur të bëjë një punë të vështirë në terren apo sa i përket pritjes së telefonatave nga qytetarët. Por Kuko tha se fatmirësisht puna e policisë ka gjetur një mbështetje të gjerë dhe një consensus nga qytetarët.
Duke u ndalur tek fenomeni i dhunës në familje familje, zv.ministrja shtoi se ka ende punë për të bërë pasi bëhet fjalë për një plagë mbarëboterore.
“Duhet kuptuar se dhuna në familje nuk është një krim pasioni, por një krim kontrolli. Megjithatë qytetarët nuk duhet te stepen për të vijuar denoncimet pavarësisht masave shtrenguese. Policia e sotme ka sektorë të mirëfilltë që e trajtojnë fenomenin e dhunës në familje” – tha Kuko në studion e emisionit “Java në RTSH” duke shtuar se ‘Komisariati Dixhital’ është një nga mjetet me efikase ku mund te kryhen denoncimet.
Për Jorida Rustemin, psikologët duhet të jenë pjesë e punës së policisë. Ajo tha se pavarësisht asistimit të psikologëve pranë forcave të rendit, ato janë për të punuar kryesisht me të miturit, por jo me stafin.
“Është e rëndësishme të kuptojmë se dhuna në familje nuk ushtrohet vetëm ndaj grave. Shpesh viktima janë edhe fëmijët apo të moshuarit. Unë mendoj se denoncimet kanë rënë pasi qytetarët kanë marrë mesazhin se duhet t’i zgjidhin vetë problemet” – tha psikologia Rustemi.
Duke u ndalur tek personat që vuajnë nga shëndeti mendor, Jorida Rustemi apeloi që ata duhet të këshillohen me mjekun e tyre që ka ndjekur problematikën.
“Në këto kushte është e nevojshme që pacientë të tillë të konsultohen vetëm me mjekun që i ka ndjekur për marrjen e medikamenteve dhe më gjerë” – apeloi Jorida Rustemi në një lidhje direkte me studion e emisionit “Java në RTSH”.