Një 34-vjecar ka rënë në pranga, pasi akuzohet se qarkullonte me armë zjarri. I riu nga Puka me inicialet F. Sh., ishte i dënuar më parë për vjedhje dhe dhunë në familje.
Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative se një shtetas në fshatin Bicaj lëvizte me armë, u organizua puna për identifikimin dhe kapjen e tij.
Si rezultat i një pune të mirëorganizuar u evidentua shtetasi F. Sh., 34 vjeç, banues në fshatin Bicaj, Pukë, i cili lëvizte me armë zjarri me vete dhe në momentin që ka parë shërbimet e Policisë ka hedhur armën dhe ka tentuar të largohet, por është kapur gjatë ndjekjes nga shërbimet e Policisë.
Në përfundim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve u bë arrestimi në flagrancë i këtij shtetasi, si dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale arma e zjarrit tip TT dhe municioni luftarak.
Materialet procedurale në ngarkim të tij i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pukë, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.
(BalkanWeb)