Nga Lorenc Vangjeli
Një jetë njerëzore mund të kalojë në tre dyer që hapembyllen njëra pas tjetrës. Tre stacione që e bëjnë individin të jetë Tre në Një, në kohë dhe hapësirë të ndryshme: adoleshenca, pjekuria dhe mosha e tretë. Në adoleshencë, gjithkush është i bindur se ka mundësi, moral e mision që të ndryshojë gjithë botën. Beson tek revolucioni dhe përbuz evolucionin.
E nesërmja dhe mohimi është feja e tij.
I pjekur dhe në prag të thinjave të para, kërkon të zmadhojë metrat katrorë të shtëpisë, të rrisë cilindratën e makinës dhe të lartojë statusin në shoqëri.
Paratë janë tempulli ku falet.
Në pleqëri, e vetmja gjë që ëndërron, është t’i sigurojë vetes “un’exit”-in e tij të qetë të jetës dhe një tualet të rehatshëm. Në këtë stacion fundor të jetës, gjithkush e kujton të shkuarën duke qeshur me cinizëm me pjekurinë e dikurshme dhe duke ju dukur e mrekullueshme cilado vuajtje adoleshenti. Edhe qelia e rinisë duket e bukur kur e sheh me mallëngjimin e largët të pleqërisë pa kthim.
Funerali i të tjerëve është argetim.
Gjashtë dekada, koha e mjaftueshme që njeriu të ketë mbyllur hesapet më të rëndësishme me jetën, janë një përjetësi kur i sheh nga adoleshenca në pleqëri, por janë edhe një çast i vetëm kur sheh në drejtimin e përkundërt, nga pleqëria në adoleshencë.
Ky është një cikël që ku më pak diku e ku më shumë diku gjetkë, përmblidhet në 60 vjet vjet jete, gjatë të cilave pothuaj kushdo ka kuptuar se nga ka ardhur, çfarë ka bërë dhe ku do t’i duhet të shkojë. Çfarë është e vërtetë për një jetë individi, pothuaj vërtetohet edhe në jetën e një shoqërie që ngrihet mbi frymëmarrje ciklike brezash. Në jetën e saj, 60 vjet apo dy breza njerëzorë, koha kur individi që ishte bir i dikujt, bëhet ati i dikujt tjetër, ajo zgjat sa një hapjembyllje sysh.
Eshtë më pak se një çast. Eshtë më shumë se një gjurmë. Eshtë një mikrobotë brenda një makrobote që vetëm ndryshon. Dhe që i mjafton vetëm forma për të tjetërsuar thelbin. Si karboni që shndërrohet në diamant.
Por diamanti, si rregull dhe jo si përjashtimi që përforcon rregullin e trishtuar, nuk e refuzon kurrë veshin e derrave vanitozë.
Sistemi politik që udhëheq një shoqëri mund të shembet brenda një nate. Komunizmit shqiptar pikërisht kështu i ndodhi. U ngrys, por nuk u gdhi dot. Ngjante i përjetshëm, por ra papritur si dhembi nga nofulla e plakur.
sistem ekonomik mund të ndryshojë brenda një stine. Por në Shqipërinë që pretendonte të çonte fshatarin në dyqan për të blerë qumësht e vezë, ku askush nuk ishte pronar as i varrit të vet, ndodhi diçka më shpejt. Lavjerësi tipik ballkanas që shkon vetëm në ekstrem, nga kolektivizimi i harbuar në gjithçka e gjithkund, shkoi në skajin e tjetër të individualizmit arrogant, që e sheh “shtetin” dhe publiken sërish si një pronë të askujt, por ku secili mund të ngulë pirunin e urisë, thikën e lakmisë dhe garuzhden e babëzisë për t’i rrëmbyer një copë dhe për të ndërtuar një gardh. Kjo është prova që ulërin se për të ndryshuar një mendësi, duhet shumë më shumë se një brez jete njerëzore. Ky është një nga shkaqet thelbësore se pse prona publike ka kaq armiq vërdallë dhe pse duhet sërish më shumë se një brez njerëzor që kjo marrëzi të ndryshojë. Janë dy të tillë, në harkun e 60 vjetëve në historinë moderne të shoqërisë shqiptare, që kanë qenë dëshmitarë të lindjes së një institucioni, një marke, një ëndrre të realizuar pjesshëm, një makthi të jetuar gjatë, të shpresës për ringjallje me miq që vrasin dhe armiq që presin të vetëvritet.
Eshtë një institucion, jeta e të cilit ngjan qoftë me portretin e individit shqiptar, qoftë me skicën e shoqërisë shqiptare të së njëjtës periudhë. RTSH është kalendar për dy breza jete. Ka qenë dhe është pasqyra ku pothuaj të gjithë kanë parë ëndrrat dhe makthet vetjake, shpresat dhe zhgënjimet, hapjen dhe mbylljen, ka qenë dashuri dhe urrejtje, virgjëreshë me shumë dashnorë dhe nënë e përdalë bijsh harramsëzë.
RTSH është pushteti që i është kërkuar egërisht t’u shërbente gjithë pushteteve.
Edhe kur e kanë shnderruar ne altoparlant dhune, edhe kur e kanë injoruar me indiferencën e mbipushtetit.
RTSH është ditari i Shqipërisë së gjashtë dekadave. Që nga nisja e varfër e deri tek progresi i ëndërruar, që nga mjerimi ekstrem i imponuar me dhune, tek shkëlqimi i ftohtë i botës së sotme.
Eshtë ditari që tregon sesi bashkëjetuan përballë të njëjtit mikrofon e të njëjtës kamera, sesi ecën në të njëjtin korridor e të njëjtat studio servilë e rebelë, shërbëtorët e shërbenjësit, amatorët e neveritshëm dhe profesionistët e epërm, honi i kopukëve dhe dallkaukëve dhe maja e inteligjencës dhe emancipimit te vendit.
Eshtë kujtesa e rrugës së përshkruar nga ekstreme robërie në skaje anarkie, është edhe qengji i pafajshëm i kurbanit, edhe lopa që i grabiteshin thundrat. Eshtë vetë rruga ku kanë parakaluar edhe tamtamet qesharake e plot jargë të pushteteve, edhe patkonjtë e kalit të Dhaskal Todrit që sillte dritën që shkonte përtej dritës në errësirë. Eshtë shkëlqimi plot kontraste që kushtëzon hijen më të fortë pikërisht aty ku është drita më e fortë. Eshtë klithma që kujton se të robëruarit në burg nuk janë gjithmonë fajtorë, por mëkatarë janë ata që vetëburgosen në liri.
RTSH është më shumë se llaçi në tulla, është më shumë se tullat që ngrejnë godinën dhe absolutisht më shumë se godina që transmeton shërbesën publike që nga mbrëmja e 29 prillit 1960 e transmetimit të parë, tek funerali i diktatorit, nga dëshmia për rënien e komunizmit, tek marrëzia e 97-ës, nga mrekullia tragjike e Luftës për Kosovën, tek rotacioni i pushteteve, nga arroganca që ekzekutoi pa gjyq tek tërmeti i njerëzisë, shkundja e natyrës dhe Pandemia që e bëri ekranin shkollë shtëpie.
Radiotelevizioni Shqiptar, për një mori befasuese rrethanash, është pak nga të gjitha këto. Eshtë traditë e të shkuarës dhe projekt i të ardhmes. Eshtë kujtesë e nostalgjisë dhe realitet që po imponohet.
Ka nje rregull të shkruar shumë herë. Gjithkush që i jep ngjyrë ekraneve të inisiativës së lirë, kësaj prone të lirisë kaotike shqiptare, ka kaluar nga ekrani i RTSH-së. Eshtë ngutur për të ardhur dhe ka vrapuar për të ikur. Ka ikur pa kthyer kokën pas dhe është rikthyer duke marrë shumëcka nga ky ekran duke lënë peng diçka të vetes tek ai.
Që në fakt, është ekrani më i veçantë në Tiranën me shumë ekrane: nuk ka një pronar të vetëm! Nuk ka një afendiko tek pullë, edhe pse shumëkush ka shpresuar dhe është sjellë si pronari tekpulls i tij. Ai është pronë publike me gjithë shqiptarët aksionerë. Trashëgon ndjeshmërinë dhe indiferencen e të gjithë shqiptarëve. Veset dhe epërsitë e tyre. Që gjithmonë e më tepër po kujtohen te thonë: të hedhim një sy aty ku dikur e tani kemi pasur e mund të kemi një shërbesë që na përket.
Dhe që shkon në çdo antenë të pronarëve të vet, në Shqipëri e Diasporë, në martesën e rishtë të nostalgjisë së bardh e zisë nga e shkuara, me shkëlqimin e epërm të botës së sotme dixhitale.
Cdo jetë njerëzore kalon në së paku tre dëshmi klasike që hapembyllen njëra pas tjetrës: sytë e tjetrit, kujtesa kolektive dhe ekrani i televizorit. Ky i fundit, ekrani i RTSH-së, sot eshte një adoleshent 60-vjecar, i bindur se ka mundësi, moral e mision të ndryshojë ca pak vetveten për të ndryshuar ca pak gjithë botën shqiptare. Duke besuar tek evolucioni i qetë dhe jo revolucioni i zhurmshëm.
E nesermja, pohimi dhe shërbesa është feja e tij! Liria, tempulli ku falet!
(Fjala.al)