Gjatë 24 orëve të fundit, janë shtruar te Spitali Infektiv edhe katër pacientë të tjerë të infektuar me koronavirus. Sipas “News24”, katër pacientët e shtruar orët e fundit i përkasin dy vatrave të nxehta aktualisht në Krujë dhe Shkodër.
Ndërkohë, mbrëmjen e djeshme është zbuluar një tjetër vatër e infeksionit në një kompani këpucësh në Tiranë.
Nga analizat e para laboratorike janë 3 punonjës të prekur nga COVID, porse ka dyshime të forta se numri i të infektuarve është më i lartë.
Burime nga ISHP konfirmojnë se ka nisur prej ditës së djeshme hetimi epidemiologjik që do të nxjerrë shtrirjen e infeksionit viral brenda stafit të kompanisë fasone, që numëron disa qindra punonjës. Deri atëherë aktiviteti në fasonerinë e këpucëve, që ndodhet në autostradën Tiranë-Durrës, do të qëndrojë pjesërisht i bllokuar.
Kjo është vatra e dytë e nxehtë e përhapjes së koronavirusit brenda sipërmarrjeve fasone në Shqipëri, pas rastit të Krujës, ku në pak ditë u raportuan 100 të infektuar direkt ose indirekt./ BW
g.kosovari