Mjeku Rifat Latifi, kirurg në Qendrën Mjekësore, Westchester një nga pikat e hershme të nxehta të koronavirusit në Nju Jork u infektua para disa javësh me koronavirus.
Nga sëmundja u prekën edhe bashkëshortja dhe vajza e tij, të cilët kanë kaluar fazën akute e ndihen më mirë. Mjeku ka zbuluar për “Zërin e Amerikës” se cilat ishin shenjat që përjetoi duke thënë:
“Ky infeksion, kjo sëmundje, dy pacientë nuk i kanë shenjat e njëjta. Mund të kenë shenja të ndryshme prej atyre që janë shumë të rënda, ka nga ata që kanë insufiçencë të mushkërive dhe duhet të ndihmohen me respirator, deri tek ata që nuk kanë fare shenja. Unë kam qenë diku në mes. Ne kemi qenë me një kollitje të thatë, një kollitje të mbrapshtë. Kam pasur dhimbje koke, unë kurrë nuk kam dhimbje koke, vetëm në anën e djathtë, rreth syrit, mbrapa syrit. Temperaturë nuk kam pasur kurrë, nuk kam pasur humbje të shijes, por nuk e ndjeja veten mirë 100 %, ndonëse edhe gjatë atyre ditëve këtu në oborrin tonë, ne dilnim për të bërë ushtrime, mundoheshim të jetonim sa më normalisht. Pas katër-pesë ditësh që simptomat nuk kalonin, u testova bashkë me shoqen dhe të dy rezultuam pozitivë. Vajza nuk u testua, por edhe ajo e ka pasur, 100 për qind e ka pasur, të paktën për nja dy ditë.”
Sa i përket rrezikut më të madh, mjeku u shpreh se do të jetë hapja e shpejtë, prandaj njerëzit nuk duhet të heqin maskat dhe dorezat.
“Rreziku i momentit është që ne të relaksohemi shumë shpejt, sepse tani meqë nuk po e shohim virusin para nesh, të hapemi shumë shpejt, të hapim shtetet, të hapim ekonominë dhe të kthehemi, siç ishim para 4-5 muajve. Ky ka për të qenë rreziku më i madh pasi është shumë e mundshme që të kemi edhe riinfektime, shkencëtarët janë të ndarë. Duhet t’u them shikuesve tuaj se unë nuk jam infektolog, jam kirurg. Fakti që ke antitrupa nuk do thotë që nuk e ke në qarkullim. Domethënë ne seriozisht duhet të kemi shumë kujdes që të përhapet sa më ngadalë dhe të mos t’i heqim maskat nga fytyra dhe dorezat”, u shpreh kirurgu Rifat Latifi.
/a.r