Departamenti amerikan i Tregtisë tha sot se prodhimi i brendshëm i përgjithshëm, u tkurr më shumë se 4.8 përqind në tremujorin Janar-Mars. Kjo është rënia më e madhe në një tremujor që nga Recesioni i Madh, i cili përfundoi në vitin 2009. Është gjithashtu tkurrja e parë e një tremujori në gjashtë vjet.
Ndërkaq, Banka Qendrore e SHBA, e njohur ndryshe si Rezerva Federale, e cila ka hedhur disa trilion dollarë fonde emergjence në tregjet financiare amerikane për të frenuar dëmin që pandemia po i shkakton ekonomisë, pritet të përsërisë sot premtimin se do të bëjë gjithçka për të mbështetur ekonominë më të madhe të botës.
Banka Qendrore mund të sinjalizojë gjithashtu se për sa kohë planifikon t’i lërë normat e interesit afër zeros pasi të ketë rifilluar rimëkëmbja.
Analistët thonë se edhe më i zymtë është parashikimi për tremujorin pasardhës prill-qershor, periudhë gjatë së cilës mbylljet e bizneseve dhe pushimet nga puna goditën me forcë shkatërruese.
Administrata e Presidentit Donald Trump ka një pikëpamje më optimiste. Presidenti u tha gazetarëve këtë javë se ai pret një “rritje të madhe” në tremujorin e tretë, që do të ndiqet nga një “tremujor i katërt i jashtëzakonshëm.” Prej disa javësh, biznese të shumta në të gjithë vendin janë mbyllur dhe dhjetëra miliona njerëz kanë humbur punën. Besimi i konsumatorëve ka rënë gjithashtu.
Megjithatë, disa ekonomistë shpresojnë se rigjallërimi do të vijë shpejt pasi të përfundojë kriza shëndetësore.
Numri i të konfirmuarve me koronavirus në SHBA e ka kaluar shifrën një milion ndërsa ai i të vdekurve është rreth 58,400. Dr. Anthony Fauci, i cili drejton Institutin Kombëtar për Alergjitë dhe Sëmundjet Infektive, thotë se pret që numri i rasteve me COVID-19 të shtohet kur vendi të rihapet nga izolimi.
Ai tha të mërkurën për rrjetin CNN se një raund i dytë i koronavirusit është i pashmangshëm, por se sa i rëndë do të jetë, kjo do të varet nga progresi që do të jetë bërë në SHBA gjatë muajve të ardhshëm. “Nëse nuk i zbatojmë me sukses të gjitha kundërmasat, tha ai, mund të përballemi me një vjeshtë dhe një dimër të rëndë”./VOA
/e.rr