Gjatë një konference për mediat ministri në detyrë i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla është shprehur se dyshon që Presidenti i vendit Hashim Thaçi mund të ketë pasur në makinë deputetin Behgjet Pacolli kur u kthye nga Shqipëria.
Sveçla deklaroi se vizita e Thaçit në Shqipëri, nuk ka qenë në bazë të protokollit dhe se nëse ai ka qenë i shoqëruar nga Pacolli rrugës së kthimit nga Shqipëria, është i detyruar që t’i nënshtrohet rregullave të karantinimit.
Xhelal Sveçla u shpreh:
“Mbrëmë vonë jam informuar se presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka kaluar kufirin rreth orës 18:00 dhe është kthyer në ora 19:00. Presidenti është ulur përpara përkundër rregullave të sigurisë, ndërsa prapa nuk kanë mundur të shohin nëse është dikush, për shkak të xhamave të zi, ndërsa është shoqëruar me vetëm një veturë në të cilën ka qenë vetëm shoferi. Nëse vërtetohet që presidenti ka qenë i shoqëruar nga zotëri Pacolli, obligohet që t’i nënshtrohen rregullave të karantinimit, ose vetizolimit në linjë me historikun e shëndetit.”
Më tej, Sveçla shton se nëse është e vërtetë që Thaçi ka pasur Pacollin në automjet, ai i ka shkelur me vetëdije rregullat e karantinimit.
“Nisur nga kjo nëse me të vërtetë deputeti, Behgjet Pacolli ka qenë në veturën e presidentit Thaçi, atëherë ai me vetëdije të plotë i ka shkelur rregullat për karantinim ose vetizolim për të cilat ishte paralajmëruar edhe para nisjes për Kosovë. Ne i kërkojmë presidentit të vendit që të përgjigjet se pse ka vendosur të bëj tejkalimin e protokollit shtetëror, ndërsa zotëri Pacollit të lajmërohet menjëherë se ku është, përndryshe nëse shfaqet brenda territorit të Kosovës, në ndonjë moment të caktuar, atëherë policia e Kosovës është e detyruar të ndërmarr masat me legjislacionin në fuqi”, përfundoi Sveçla.
/e.rr