Kryeministri Edi Rama konfirmoi sot se nuk do të ketë asnjë gjasë që pagat dhe pensionet të ulen. Ai tha se nëse rrogat e shqiptarëve do të preken, kjo do të ndodhë vetëm për t’u rritur.
Ndërkohë ai shtoi se disa biznese përbëjnë rrezik infektimi, ndaj edhe nuk janë lejuar të nisin punën. Kryeministri u shpreh se hapja do të vijojë me shumë kujdes.
“Duke qenë se ka shumë që duan të shkojnë në Greqi u kujtoj se faktikisht nuk lejohet lëvizja nga prefektura në prefekturë. Kur flasim për kufij, hap kufijtë se na mbyte, se na vrave, dakord unë jam i tilli apo atilli mbase, por a shikoni se çfarë ndodh?
Do të hapemi me shumë kujdes dhe deri në, pas kësaj jave, dhe javës në vijim, do të bëjmë një analizë të thellë me ekspertët dhe komitetin lidhur me procesin e hapjes së korridoreve ajrore. Në tërësi do të vijojmë me këtë regjim për korridoret ajrore. Lehtësimi do të vijë në proces. Mbeten në proces për t’u studiuar dhe për t’u lehtësuar, disa biznese, floktoret, berberët, dentistët.
Janë të rrezikshme, sepse mjafton që një nga klientët të infektojë berberin, parukerin apo dentistin të gjithë marrin infeksionet.
Por me protokollet do të lehtësojmë edhe këtë aktivitetet dhe pastaj mbetemi te qendrat tregtare më parë dhe më pas restorantet dhe baret. Pas datës 4 maj nuk ka diskutim. Deri në 11 maj kur do të kemi një rivizitim të të gjithë situatës. Do të shikojmë edhe efektin e hapjes së zonave të gjelbra që do të zgjerohen” tha ai.
Kryeministri tha sot se pagën e luftës e kanë marrë 60 mijë persona. Ai u shpreh se zona e gjelbërta pritet të shtohen.
/a.r