Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu deklaroi nga Spitali Universitar i Traumës ku janë transferuar të gjitha urgjencat e kirurgjisë por edhe ato të patologjive malinje, se janë më shumë se 4000 urgjenca dhe rreth 500 ndërhyrje kirurgjikale të kryera gjatë kësaj periudhe.
“Shqëtësimi më i madh ka qenë garantimi i shërbimeve të urgjencës për qytetarët në këtë periudhë. Arritëm që të vendosnim përqëndrimin në urgjencën e Spitalit të Traumës të të gjithë kirurgjive, edhe ato të sëmundjeve malinje. Janë rreth 4000 urgjenca të pritura dhe rreth 16-20 ndërhyrje të urgjencës kirurgjikale. Bëmë një organizim të sistemit shëndetësor që të mos mungonte aspak shërbimi cilësor për qytetarët”, tha Manastirliu.
Gjatë inspektimit të masave të marra tek Spitali Universitar i Traumës, Manastirliu tha se do të bëhet hapje graduale e sistemit shëndetësor dhe se, kjo do të varet nga ecuria e situatës së shkaktuar nga COVID19.
“Jemi duke vlerësuar me shumë kujdes të gjitha fazat e hapjes së sistemtit shëndetësor që nuk do jenë dhe aq të shpejta. Pasi duhet që të garantojmë mbrojtjen e pacienteve, mbrojtjen tuaj. Puna nuk ka ndalur në spitale, por për urgjencat kirugjikale dhe ato malinje do të vazhdojë puna me intensitet nga stafet mjekësore kudo në vend”, tha Manastirliu.
Duke i falenderuar për punën e palodhur Manastirliu tha se janë gati ekipet shëndetësore që mund t’i zëvendësojne apo mbështesin nëse do të jetë e nevojshme, dhe se këtë luftë do ta fitojnë me kontributin e të gjithëve.
Në Spitalin Universitar të Traumës janë kryer rreth 4 mijë vizita urgjente dhe rreth 500 ndërhyrje kirurgjikale urgjente përfshirë dhe ato të sëmundjeve malinje. Ndërsa traumat kanë qënë më të reduktuara për shkak të izolimit të qytetarëve dhe mungesën e lëvizjes në këtë periudhë.
/a.r