Nga Alfred Peza/
Ka ndodhur një metamorfozë e çutishme në 6-7 vitet e fundit të zhvillimeve politike në Shqipëri, ku në kampin opozitar ka një garë gjithnjë e më të ethëshme, për të promovuar sa më tepër rekordet e anormalitetit politik. Ka qenë si tendencë edhe në periudhat e tjera të opozitarzimit të partive të “Opzitës së Bashkuar”, por tashmë është bërë normë.
Le ta tregoj me disa shembuj konkretë, për ta kuptuar këtë më thjeshtë, duke u marë me sjelljet politike të disa prej liderëve, në raport me rregullat dhe normat e funksionimit të lojës demokratike.
Nëse Lulzim Basha tenton që të krijojë profilin e një lideri normal politik, si ajo e të gjithë krerëve të opozitave në vendet me demokraci të konsoliduar, atëherë ai nis e anatemohet si kurrë më parë nga të vetët, që kërkojnë të ndryshojë sa më parë kurs ose të largohet.
E nëse po i njëjti Lulzim Basha djeg mandatet e deputetëve, e nxjerr PD nga Parlamenti, nga sistemi politik e demokratik i vendit, bojkoton zgjedhjet lokale dhe e lë për herë të parë pas 30 vjetësh opozitën pa asnjë përfaqësim as në pushtet qëndror e as në atë lokal, atëherë ai shihet si lider i madh. Si një figurë politike që është gati për Kryeministër dhe si njeri që janë gati ta krahasojnë me më të pakrahasueshmit.
Pra sa më shumë që një lider i tyre të sillet në mënyrë anormale, në raport me sistemin demokratik dhe rregullat e lojës pluraliste, aq më lart rankohet në klasifikim e tyre. Sa më normal të jetë ai, aq më shpejt i bien aksionet në sy të tyre dhe aq më shumë e masakrojnë dhe e kompleksojnë.
Le të marim një shembull tjetër. Nëse Sali Berisha bën thirrje nga foltorja e Parlamentit për armatosjen e shqiptarëve, atëherë në sytë e këtyre lloj opozitarëve, ai është “lideri historik”, “shpëtimtari i opozitës”, e kështu me radhë. E njëjta gjë, edhe tani kur shpërndan lajme makabre për vdekje inekzistente e varre të paqena nga pandemia. Apo kur u bën thirrje shqiptarëve që të dalin nga karantina në protesta kundër qeverisë.
Pavarësisht se ai vetë as ka dalë e as nuk pritet të dalë nga dera e shtëpisë, pa ikur rreziku i virusit vrasës,- siç ka deklaruar vetë, Sali Berisha vazhdon të jetë më i kuotuari në sytë e opozitarëve dhe propogandës së saj. Ndërkohë që sondazhet tregojnë të kundërtë, rënien e ndjeshme të kuotave në sytë e opinionit të gjerë publik.
E njëjta gjë edhe për liderët e tjerë të opozitës shqiptare, duke filluar nga Monika Kryemadhi dhe duke përfunduar tek Ilir Meta. Kur Kryetarja e LSI gjuan me çizme në Parlament, djeg mandatet e deputetëve të partisë së saj, apo bën thirrje të ngjashme e të krahasueshme me ato të Sali Berishës, aq më shumë ato i njihen si vlera e si pikë të shtuara, në sytë e kësaj pjese të opozitarëve dhe propogandës së saj.
Edhe për Ilir Metën përdorët po e njëjta njësi matëse, ku rekordet e anormalitetit politik të shfaqur gjatë kohës së ushtrimit të detyrës së Presidentit të Republikës, i janë promovuar si vlerat më të mëdha e pozitive si lider opozitar.
Nuk e keni harruar besoj ekzaltimin e kësaj pjese të opozitarëve, pas mitingut të 2 marsit në bulevard, me pjesëmarrjen e anëtarëve dhe votuesve të PD. Sa më shumë u largua nga kostumi i Kryetarit të Shtetit për të bërë kreun e opozitës në lojën politike aktive të vendit, duke shkelur hapur Kushtetutën, aq më shumë u ekzaltuan dhe e duartrokitën.
Mjaftoi që të ishte këtë radhë në anën e atyre që ishin në frontin e luftës kundër Covid-19, si të gjithë aktorët e faktorët normalë të politikës globale dhe menjëherë po të njëjtët, e cilësuan nga tradhëtar, e deri tek akuzat për pazare me Kryeministrin e mazhorancën e gjithçka tjetër që u vinte ndërmend.
Mund të ketë shumë arësye se përse ndodh kjo në kampin opozitar. Ndoshta për shkak të mënyrës sesi funksionon vetë sistemi i matjes së vlerave dhe sesi bëhet promovimi i kontributeve politike brenda opozitës shqiptare. Ose për shkak se liderët e saj, i janë nënstruar tashmë këtij lloj presioni publik dhe kësaj kulture opozitare.
Një gjë është e sigurtë, se ata që do tia vendosin notën në fund, janë shqiptarët. Me votë, në zgjedhje. Jo këto lloj opozitarësh, me komente dhe tifozllik, nga shkallët e stadiumit politik. Alpenews