Nga ARTUR AJAZI
Pasi i ka lodhur dhe dëshpëruar me qindra herë shqiptarët, pasi i ka lodhur dhe dëshpëruar me dhjetra herë aleatët e tij të dikurshëm, pasi ka zhgënjyer pothuajse vazhdimisht ndërkombëtarët, së fundi Lulzimi i Partisë Demokratike, ka nisur të zhgënjejë edhe Ilir Metën.
E po, ta kesh sherrin me lagjen hallall, por ta kesh sherrin edhe me “tëndin”, kjo sikur nuk kapërdihet, sidomos në kohë krize. Lulzimi në fakt është bërë për të varur një “nuskë, për ta marrë Allahu me të mirë”, sepse me njerësit në tokë ka gjithmonë dështime dhe zhgënjime.
Të jesh, apo dhe të bëhesh politikan në Shqipëri, nuk është e lehtë, sepse vetvetiu këtu njeriu ndjehet se u ka shumë borxhe atyre që e votojnë, sidomos kur vjen dhe ikën nga pushteti. Kjo ka ndodhur edhe me ish-opozitën e sotme, (të vjetrën në fakt) e cila duket sikur ka përmbyllur gjithçka, ciklin politik dhe fushbetejat, kontratën dhe bilancet me shqiptarët, apo dhe qokat me ndërkombëtarët.
Dhe më kot Lulzimi përpiqet të fshehë të vërtetat, ato që kanë ndodhur, dhe ato që kanë të bëjnë me partinë e tij dikur të madhe, dhe sot fare të vockël. Vari vehtes më mirë një “nuskë” Lulzim, sepse as bekimi Doktorit dhe as shpresa se “duke goditur Metën, pas lëvizjeve të fundit mund të fitosh pikë”, nuk mund të rikthejnë PD atje ku ishte, dhe aq më tepër në pushtet.
Në kohë krize, dihet se partia që ka fatin të jetë në opozitë, bëhet “flamurtare” e ndryshimit, apo “thellimit të skandaleve” por tek ne, ka ndodhur e kundërta. Partia Demokratike , as ka ditur, dhe as ka mësuar gjë, nga kjo filozofi e mrekullueshme e shfrytëzimit të shanseve në kohë reale dhe të pabarabarta. Sulmet dhe shpifjet, janë trashëgimia më e shëmtuar e stafit dhe lidershipit politik të Partisë Demokratike.
Koha kërkonte bashkimin dhe bashkëpunimin me çdo forcë qeverisëse, koha kërkonte angazhimin serioz dhe korrekt të gjithë potencialeve intelektuale, për të përballuar kriza, dhe pandemi të çfarëdo lloji qofshin. Por partia e Lulzimit dhe vetë ai, me ndërgjegje të plotë, larg çdo dyshimi tanimë se “drejtohet verbërisht nga Doktori” , kanë braktisur çdo normë dhe detyrim politik dhe njerësor, dhe kanë nisur betejën e turpit, duke mos lënë ditë dhe natë, pa akuzuar dhe shpifur duke përdorur mënyra dhe metoda mesjetare të rëndimit të gjendjes psikologjike të shqiptarëve.
Kriza e COVID-19 do të mbahet mend në historinë e këtij vendi, si periudha më e zezë e ndërgjegjësimit human, të një partie politike në shpërbërje e sipër, që përpiqej të ngjallte kuçedrën dhe jo shpresën, që angazhohej ti përçante, dhe jo ti bashkonte dhe të solidarizohej me shqiptarët, që ndizte me dashje vatrat e zjarrit me qeverinë, duke penguar dhe sabotuar me gjithçka, strukturat e specializuara në procesin e parandalimit dhe përballimit të një situate të tillë. Vari vehtes një “nuskë” Lulzim, sepse i ke sjellë shqiptarëve shumë mërzitje, çapitje, halle dhe probleme, u ke plasur shpirtin me dogmat dhe shpifjet e tua, se ndoshta ndryshon diçka edhe brënda teje.