Le të marrim rastin më optimist: Pandemia do të shuhet; kujt ia mban xhepi do të rendë për pushime, të cilat sipas të gjitha gjasave, të gjithë do të duhet t’i bëjmë brenda vendit. Por le të jemi edhe më tej optimistë: Gjatë gjithë kohës në plazh i kemi zbatuar të gjitha porositë e distancës dhe të dezinfektimit; jemi shtrirë më në fund në shezlong dhe po presim radhën për të hyrë në det, sapo të dalin ata dy-tre vetë që mund të jenë lejuar të lahen… Tani jemi vetëm në breg! Sa të sigurtë jemi që në ujë nuk do të ndeshim Covid-19?
Gjurmë të gjenomës së Covid-19 në ujërat e zeza
Bota është vënë në alarm sepse Covid-19 ka rezultuar edhe në ujërat e zeza, të cilat pas trajtimit, në shumicën e rasteve përfundojnë në det (siç është rasti i Shqipërisë).
Profesor Et’hem Ruka, biolog me profesion, shpjegon për gazetën “Si se “përvoja ka treguar se depistimi i të prekurve nga Covid-19 por pa shenja, është mjaft i vështirë”. “Ndaj – thotë profesor Ruka – prania e virusit që kalon përmes feçeve në ujërat e zeza ka tërhequr vëmendjen e shumë grupeve kërkimore. Në fakt, ujërat e zeza janë një përzierje e ujërave shtëpiakë, spitaleve, shkollave dhe disa veprimtarive të tjera njerëzore. Të gjitha këto ujra, para se të derdhen në lumenj e dete, i nënshtrohen pastrimit në impiante të veçanta. Ujërat që kalojnë këtë proces mund të ripërdoren përsëri”.
Sipas biologut Ruka, “në Paris të Francës këto ujëra përdoren për të larë rrugët si dhe për të mbushur liqenet artificiale”. “Analizat e këtyre ujërave treguan gjurmë të ARN-së virale. Sinjali i parë për praninë e gjenomës se koronavirusit në ujërat e zeza u dha nga një grup kërkimor holandez”, shprehet Ruka. Ai i referohet studimit të Institutit Holandez të Kërkimeve të Ujit (kliko), studim i drejtuar nga Prof. Gertjan Medema, mikrobiologu kryesor i këtij instituti, sipas të cilit mbikëqyrja e ujërave të ndotura, e cila shpesh quhet “epidemiologji e bazuar në ujërat e zeza”, mund të ndihmojë autoritetet shëndetësore të monitorojnë, në një nivel popullsie, shfaqjen e virusit dhe, në mënyrë indirekte, të japin një indikacion nëse njerëzit janë ende të infektuar”.
“Më vonë – thotë për gazetën “Si” profesor Ruka – e njëjta gjë u konstatua nga një grup kërkimor në Massachusetts të SHBA”. Sipas tij, një grup kërkimor francez ndërmori të njëjtin studim më 5 mars të këtij viti. “Ata vërtetuan praninë e gjenomës së këtij virusi në ujërat e përdorura. Shkalla më e lartë e ndotjes u gjet në ujërat ku shkarkonin me shumë spitalet e Parisit. Monitorimi në proces ka treguar se izolimi në shtëpi e ka pakësuar gjenomën e këtij virusi në ujërat e zeza”, thotë për gazetën “Si” biologu Ruka. Sipas tij, këto studime kanë shkaktuar një lloj alarmi në vendet që mendojnë se duhet të mbulojnë 10-60% të nevojave të tyre me ujë të ripërdorur; vende të tilla janë Australia, Kalifornia, Qipro, Izraeli, Jordania, Malta etj.
Edhe Prof.Asoc.Fabian Cenko, epidemiolog dhe pedagog në Universitetin “Zoja e Këshillit të Mirë”, është në të njëjtën linjë. Ai thotë për gazetën “Si” se “në raport me ujin e pijshëm apo edhe ujërat e zeza (që jane shkarkimet urbane), mendohet që impiantet e trajtimit të tyre me metoda kimike apo natyrale, arrijnë të shkatërrojnë koronavirusin që mund të gjendet atje”. “Monitorimi i këtyre ujërave është një mënyrë për të kontrolluar edhe shpërndarjen e virusit në ambient si pjesë e rrezikut për popullatat përkatëse. Në disa vende, si psh Holandë, janë ngritur sisteme të monitorimit ku janë gjetur heraherës gjene të SARS-CoV-2 në ujërat e zeza, por nuk ka të dhëna të rasteve të infektimit të njerëzve nga këto ujëra”, thotë profesor Cenko.
Viruset patogjenike humane në mjedisin detar
“Në ujin e detit, rreziku, sipas të dhënave të deritanishme, është akoma më i vogël se në burimet ujore. Kjo për shkak të përqëndrimit akoma më të ulet të virusit në hapësirat e mëdha detare dhe mundësisë pothuaj të papërfillshme të infektimit të njerëzve në këto ujëra”, thotë për gazetën “Si” profesor Cenko. Nga ana tjetër, sipas tij, nuk ka të dhëna që Covid-19 të mund të shpërndahet tek njerëzit nëpërmjet ujit të pishinave, lojërave ujore etj. “Gjithsesi është e rëndësishme që të vijojë trajtimi korrekt i dezinfektimit të këtyre ambienteve ujore psh. me klorinë, apo elementë të ngjashëm kimikë që e inaktivizojnë virusin. Të mos harrojmë që në këtë fazë të transmetimit të sëmundjes, kujdesi duhet të jetë i lartë në respektimin e rregullave bazë jashtë apo brenda këtyre burimeve hidrike, pasi qarkullimi i virusit e bën të vështirë përcaktimin e mënyrës së saktë të infektimit të individëve”, shprehet Cenko.
Meqë një studim të posaçëm për mënyrën se si sillet SARS-CoV-2 ende nuk ka, gazeta “Si” hulumtoi në kërkime shkencore të mëhershme që kanë studiuar përhapjen e viruseve patogjenike – përfshi familjen e koronaviruseve – në ujërat detarë. Më me interes ndër ta, është studimi i Universitetit të Barcelonës (kliko) “Viruset patogjenike humane në mjedisin detar”, i botuar në revistat shkencore në mars 2005 dhe i drejtuar nga Albert Bosch, F. Xavier Abad dhe Rosa M. Pintó. Është poaq interesante në këtë studim të lexosh se si viruset patogjene hyjnë në mënyrë rutinore në ujërat detare përmes shkarkimit të ujërave të zeza të trajtuara dhe të patrajtuara, pasi praktikat moderne të trajtimit të ujërave ende nuk kanë gjetur një mënyrë që të sigurojnë ujëra të zeza pa viruse.
Në studim vlerësohet se numri i rasteve të sëmundjeve gastrointestinale të raportuara çdo vit në mbarë botën përbën miliarda. Të pranishëm në ujërat e ndotura të ujërave të zeza janë mbi 100 lloje të viruseve në gjendje të shkaktojnë një spektër të gjerë të sëmundjeve tek njerëzit (tabela më poshtë) përfshirë hepatitin, gastroenteritin, meningitin, ethet, skuqje, konjunktivit por edhe SARS (Severe Acute Respiratory Syndrome).
“Viruset janë ndotës potencialisht të rrezikshëm të detit, si produkte të aktiviteteve njerëzore. Viruset patogjene njerëzore nuk gjenden vetëm në miliona litra mbeturina njerëzore të trajtuara në mënyra të ndryshme të derdhura direkt në det, por edhe në impiantet dhe kanalizimet e ujërave të bardha (pusetat dhe kanalet ujëmbledhëse të shiut). Megjithëse detet dhe oqeanet ofrojnë hollim relativisht të shpejtë të ujërave të zeza të trajtuara, duket se fenomenet e hollimit mund të mos jenë të mjaftueshme për të minimizuar ndikimin e ndotjes nga virusi, sidomos kur këto ujëra shkarkohen jo shumë larg vijës bregdetare. Bazuar në këtë provë, tubacionet duhet të ndërtohen që të shkarkojnë thellë në det dhe larg plazhit”, thuhet në studimin e Universitetit të Barcelonës.
Sipas studiuesve spanjollë, ndikimi i plotë i ndotjes virale në ujërat për pushuesit është vështirë të vlerësohet për shkak të vështirësive teknike dhe ekonomike të studimeve virologjike. “Sidoqoftë, studimet e epidemiologjisë tregojnë rreziqe të konsiderueshme të lidhura me notimin pranë prurjeve që vijnë nga kanalizimet. Në mënyrë të veçantë, incidenca e sëmundjeve të tilla si skuqje, çrregullime gastrointestinale dhe infeksione të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes përafërsisht janë dyfish më të larta se në zona të tjera të bredgetit ku nuk ka derdhje ujërash urbane.
Për më tepër, të dhënat epidemiologjike të sëmundjeve që merren nga uji tregojnë gjithashtu se agjentët e zakonshëm etiologjikë kanë më shumë të ngjarë të jenë viruse dhe protozoa parazitare sesa bakteret, dhe enteroviruset (poliviruset, viruset e coxsackie, echoviruses), hepatiti A dhe E, adenoviruset, rotaviruset dhe noroviruset. Të gjitha këto janë të lidhura me sëmundje të shkaktuara nga notimi në këto zona”, thuhet më tej në këtë studim.
Mbijetesa e virusit në det
Doktori më i famshëm i këtyre kohëve, mjeku infeksionist Pëllumb Pipero ndërkaq na jep siguri se Covid-19 ka pak gjasa të mbijetojë në det. “Nëse shkon në ujërat e bardha pasi lahen duart me ujë dhe sapun, ose pasi dezinfektohen me alkool apo xhel, virusi shkatërrohet. Nëse del me ujërat e zeza ka të dhëna që jeton pak më gjatë. Nuk kam të dhëna për lumenj, liqen dhe det, por nuk besoj se jeton! Mandej jam i sigurt qe nuk jeton, ndaj ujërat e deteve, të liqeneve dhe lumenjve janë të sigurtë! Të mendosh ndryshe është nonsens!”, thotë për gazetën “Si” mjeku Pipero.
Por studiuesit spanjollë të Universitetit të Barcelonës duket se kanë një opinion të ndryshëm. “Mund të supozohet se patogjenët e njeriut dhe të kafshëve do të pësojnë një trajtim agresiv në mjedisin detar dhe do të vdesin brenda një kohe të shkurtër. Dukuria se proceset e vetëpastrimit janë më të theksuara në ujërat e detit sesa në ujërat e lumenjve, është studiuar nga shumë autorë. Por aftësia e vetëpastrimit të ujit detar është e kufizuar. Sidoqoftë, pyetja kritike është nëse këto viruse mund të mbijetojnë mjaft gjatë dhe në përqendrim të mjaftueshëm të lartë për të shkaktuar sëmundje te individët që janë në kontakt me ujë të ndotur ose që konsumojnë ushqim deti të kontaminuar”, thuhet ndër të tjera në studim.
Sipas tij, ndër faktorët e shumtë që ndikojnë në mbijetesën e virusit në mjedisin detar janë: temperatura, bashkëshoqërimi i viruseve me trupa solide dhe prania e florës mikrobiale. Duket e arsyeshme të supozohet se faktorët mjedisorë dhe përbërja e ujit të detit mund të jenë thelbësisht të ndryshme nga një vendndodhje gjeografike në tjetrën, çka nënkupton se ka të dhëna të ndryshme për njëjtin virus në vendndodhje të ndryshme gjeografike. Disa vëzhgime demonstrojnë përfshirjen e mundshme të mikroorganizmave detarë vendas në aktivizimin e viruseve në habitatet detare, ndonëse të dhënat për izolimin e suksesshëm të mikroorganizmave me veti virusale janë ende të pakta”, nënvizon më tej studimi i vitit 2005 i Universitetit të Barcelonës.
Studimet ndërkombëtare të mësipërme, duket se nuk “janë marrë parasysh” nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP), i cili i referohet Organizatës Botërore të Shëndetësisë në direktivat që jep për Covid-19. Gazeta “Si” hulumtoi në materialet e bollshme informuese të këtij institucioni dhe në një përmbledhje teknike (kliko) të botuar më datë 3 mars 2020, ISHP flet për jetëgjatësinë e virusit Covid-19 në ujin e pijshëm, feçet, kanalizimet dhe sipërfaqet e ndryshme. Mes të tjerash, në këtë përmbledhje thuhet:
“Ndërsa jetëgjatësia në ujë të pijshëm është e mundur, nuk ka asnjë provë aktuale nga koronaviruset humane që të jenë të pranishëm në burimet sipërfaqësore, ujërat nëntokësore, apo të transmetohen përmes ujit të pijshëm të kontaminuar. Virusi Covid-19 është një virus i mbështjellë me një cipë të jashtme të brishtë. Në përgjithësi, këto viruse janë më pak të qëndrueshëm në mjedis dhe janë më të ndjeshëm ndaj oksiduesve siç është klori.
Nuk ka prova deri më tani në lidhje me mbijetesën e virusit Covid-19 në ujë ose kanalizime. Virusi ka të ngjarë të deaktivizohet në mënyrë të konsiderueshme më shpejt se sa viruset enterike njerëzore jo të mbështjella me transmetime të njohura në ujë (të tilla si: adenovirus, norovirus, rotavirus dhe hepatiti A). Nxehtësia e lartë apo e ulët, pH, rrezet e diellit dhe dezinfektuesit e zakonshëm (siç është klori) të gjitha ndihmojnë në eliminimin e virusit”.
Për mbijetesën e koronaviruseve në ujë dhe ujërat e zeza, gazeta konsultoi edhe një studim tjetër (kliko), atë të Universitetit të Arizonës (SHBA), të drejtuar nga studiuesit Patricia M Gundy dhe Charles Gerba. Studimi i botuar në revistat shkencore në mars 2008, vinte pas epidemisë së SARS-it (Epidemia e SARS-it u shtri në 2002-2004 në 26 vende me mbi 8000 të infektuar dhe 800 viktima). Studimi dëshmon me shembuj se si koronavirusi SARS ishte përhapur nëpërmjet ujit.
Gjetjeve në studimin e mësipërm u referohet edhe epidemiologu Fabian Cenko, kur thotë për “Si” se “uji luan një rol të rëndësishëm në transmetimin e disa sëmundjeve infektive duke ndihmuar në shpërndarjen e mikroorganizmave shkaktare të këtyre sëmundjeve tek një numër i madh personavesh që më pas mund të infektohen”. “Pyetja nëse uji e luan këtë rol për virusin e ri shkaktar të sëmundjes Covid-19, është pjesë e kërkimeve intensive që po kryejnë ekspertët si psh virologët ambientalistë për të kuptuar karakteristikat e këtij virusi në raport me ujin. Vëmendja me këtë argument lidhet edhe me nje episod nga epidemia e SARS-it të vitit 2003, kur është dokumentuar transmetimi i virusit SARS-1 nëpërmjet ujit në një kluster rastesh në Hong-Kong”, shprehet Cenko për gazetën “Si”.
Në kohën e SARS-it, pra, u vu re se koronavirusët mund të mbijetojnë në ujë për disa ditë, veçanërisht nëse temperatura është afër zeros. Në ujërat e zeza të një spitali kinez, virusi mbijetoi për 14 ditë në 4 gradë dhe 2 ditë në 20 gradë. Në rastin e koronavirusit të ri, ende nuk është sqaruar nëse gjurmët e gjetura janë në gjendje të infektojnë apo janë vetëm mbeturina dhe fragmente infektuese.
Nga kanalizimet në det
Sistemi i kanalizimeve, ashtu si edhe ai ujësjellësit, është një sektor i decentralizuar dhe çdo bashki është përgjegjëse dhe ka ndërmarrjen e vet. Ndërtimi por edhe mirëfunksionimi i impianteve moderne të trajtimit të ujërave të zeza janë sfidë edhe për vende më të zhvilluara se Shqipëria, ku në 30 vjet për sektorin janë hedhur miliona dollarë dhe euro fonde. Një inxhinier ujërash, pjesë e Shoqatës së Ujësjellës-Kanalizimeve të Shqipërisë dhe që i njeh shumë mirë projektet aktuale por edhe investimet që janë bërë ndër vite, i tha gazetës “Si” se “impiantet janë investime shumë të mëdha, ndaj nuk bëhen kollaj”.
“Aktualisht ka 26 impiante të trajtimit të ujërave të zeza në të gjithë territorin, por vetëm 12 prej tyre janë funksionalë”, u shpreh ai. “Njerëzit – vijon më tej ai – kënaqen kur u sheh syri asfalt. Nuk e kuptojnë sa e rëndësishme është nëntoka. Është shumë më e vështirë të ndërtosh nëntokën dhe rrjedhimisht impiantin”. Gjithsesi – thotë inxhinieri – të paktën një pjesë e këtyre impianteve si ai i Durrësit, Korçës, Pogradecit apo Lezhës, janë shumë mirë në funksion dhe me staf tejet të kualifikuar.
Në qershor 2019, progres-raporti i Komisionit Evropian (kliko) do të nënvizonte ndër të tjera, në faqen 89 të tij, se “Impiantet ekzistuese të trajtimit të ujërave të zeza mbeten me problem në funksion dhe mirëmbajtje”. “KE kërkon në mënyrë të domosdoshme zgjerimin e rrjetit të përpunimit të ujërave të zeza dhe ndërtimin e impianteve të reja të trajtimit të tyre, sidomos në zonat urbane, bregdetare dhe zonat turistike… Nga ana tjetër për menaxhimin e baseneve lumore, KE kërkon rritjen e kapaciteteve të Agjencisë së Basenit Ujor, rritjen e pikave të monitorimit të cilësisë së ujit dhe po kështu, forcimin në mënyrë urgjente të vetë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit”, thuhej në raport.
Inxhinieri i ujësjellës-kanalizimeve thotë se nëse nuk ndërtojmë impiante për trajtimin e ujërave të zeza, apo nëse nuk i menaxhojnë të gjitha derdhjet urbane në mënyrën e duhur, nuk kemi pse ankohemi atëherë për cilësinë e plazheve, ku kanale, prrojca e lumenj sjellin ujë të trajtuar dhe të patrajtuar.
Si përfundim…
…askush për momentin nuk mund ta thotë a mund të bëjmë pushime të qeta sivjet apo jo. Apo a mund të hyjmë në det pa pasur frikën e infektimit. Por studimet treguan se Covid-19 mund të infektojë edhe nëpërmjet feçeve dhe, përmes tyre, të kalojë në kanalizimet e ujërave të zeza. Prej këndej shkon shpejt dhe (në rastin e Shqipërisë) me shumë pak kontroll në det. Duhet të kemi frikë? Aspak! Kujdes? Shumë… Të paktën të shkojmë të notojmë larg pikave ku derdhen ujërat e zeza. Ato që ju përmendëm pak më lart.
g.kosovari