Marrëdhëniet mes kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe ish-kryeministrit Sali Berisha sa vijnë dhe tensionohen. Moderimi që po tregon Basha ditët e fundit dhe braktisja e protestave antiqeveritare, nuk janë pëlqyer nga Berisha, ndërkohë që kjo ka bërë që të nisin përplasjet mes tyre.
Ish-kryeministri Berisha dhe njerëz pranë tij këmbëngulin se opozita duhet t’iu rikthehet protestave, pasi sipas tyre kjo është e vetmja rrugë për të rrëzuar qeverinë. Por kryedemokrati Basha as ka ndërmend që të thërresë protesta, duke lënë kështu në baltë Berishën. Të paktën kështu është vendosur ditën e shtunë gjatë mbledhjes që lideri demokrat zhvilloi online me krerët e degëve të PD.
Kështu, gazeta “Sot” ka mësuar se në mbledhjen e së shtunës një ndër çështjet që është diskutuar ka qenë pikërisht kërkesa për rikthimin e protestave, e cila është parashtruar nga disa krerë degësh.
Por burime të sigurta nga mbledhja pohuan se Basha është shprehur se nuk është momenti për të thërritur protesta antiqeveritare dhe se për të, një nga arsyet se përse nuk mundet që të zhvillohen ato është situata në të cilën ndodhet vendi për shkak të koronavirusit. Në këtë kontekst, mësohet se shefi i selisë blu ka porositur vartësit e tij që të zbresin në bazë, jo për të protestuar, por për të pasur kontakte me qytetarët, në mënyrë që t’iu vijnë në ndihmë gjatë këtyre ditëve të vështira që po kalon vendi.
Pra, edhe pse nuk e ka deklaruar publikisht, kjo do të thotë se Basha jo vetëm që ka lënë në baltë Berishën, por iu ka mbyllur derën për protestave edhe krerëve të degëve. Madje, sikundër pohuan të njëjtat burime kryedemokrati edhe pse indirekt është shprehur para krerëve të degëve të Partisë Demokratike se mbërritja e koronavirusit në Shqipëri iu hodhi në “erë” shumë plane, pasi këtë vit do të jetë e vështirë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Zbardhen diskutimet e kreut të PD me strukturat
Por përveç rikthimit ose jo të protestave, mësohet se në mbledhjen që kreu i PD zhvilloi online me vartësit e tij në rrethe kanë qenë edhe një sërë çështjesh të tjera që janë diskutuar. Burime nga mbledhja i pohuan gazetës se Basha ka urdhëruar që si baza ashtu edhe qendra të jetë tejet vigjilente dhe të denoncojnë çdo abuzim që konstatojnë se është konsumuar nga qeveria dhe pushteti vendor.
Në këtë pikë, mësohet se Basha ka kërkuar nga të vetët që të vënë në pah sa më shumë defekte të qeverisë sa i takon qasjes që ajo ka në raport me qytetarët gjatë këtyre ditëve që vendi është mbërthyer nga Covid-19. Po ashtu, mësohet se lideri demokrat ka kërkuar nga strukturat që të jenë sa më pranë njerëzve që janë lënë në harresë nga qeveria duke i ndihmuar me ndihma ushqimore, në një kohë që ka zëra se shpërndarja e ndihmave si nga pushteti vendor, ashtu edhe ai qendror po bëhet selektive, gjë që është denoncuar në disa raste edhe nga selia blu.
Ndërkohë, sipas informacioneve mësohet se kreu i Partisë Demokratike ka kërkuar nga krerët e degëve që të mbledhin sa më shumë fakte dhe prova komprometuese që qeveria po bën sa i takon mbështetjes që ajo po jep për biznesin e vogël, fermerët, fasonët, bizneset prodhuese dhe turizmin. Megjithatë, mbetet për t’u parë në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht. /e.s/