Pandemia e Covid-19 pritet që të godasë dërgesat që emigrantët dërgojnë në shtëpitë e tyre duke i reduktuar ato me 28% në vendet e Europës dhe Azisë Qendrore, pjesë e të cilave është edhe Shqipëria.
Në një raport të Bankës Botërore, e cila e konsideron rënien si më të mprehtën të historisë moderne, llogaritet që në të gjithë globin remitancat do të tkurren me 100 miliardë dollarë.
Në Shqipëri pritet që për këtë vit sipas këtyre të dhënave, të ketë një rënie prej 200 milionë dollarësh nga këto dërgesa. Vitin e shkuar dërgesat e emigrantëve arritën në total 760 milionë dollarë, duke u rritur me 5% krahasuar me 2018-n.
Banka Botërore thotë se kriza e pandemisë dhe bllokimi i ekonomisë është duke goditur më shumë vendet e punës ku të punësuar janë emigrantët, të cilët janë dhe shtresa më vulnerabël në këto shtete, të cilët ndonjëherë puna në informalitet nuk i jep trajtim social.
“Në të shkuarën remitancat kanë patur një natyrë kundër-ciklike, ku emigrantët kanë dërguar më shumë para në shtëpi gjatë kohëve të krizave. Por këtë herë pandemia ka goditur të gjithë vendet duke krijuar pasiguri të shtuar.”
Banka Botërore pret një rikuperim të këtyre dërgesave për të gjithë shtetet me të ardhura të ulëta e të mesme gjatë vitit të ardhshëm, megjithatë raporton se e ka të vështirë për të bërë vlerësime të sakta në vlera. Në Shqipëri të ardhurat e emigrantëve përbëjnë 9.5% të prodhimit kombëtar të vendit.