Pandemia që ka përfshirë botën duke shkaktuar një situatë të panjohur ka qenë temë e diskutimit në panelin e emisionit “Java në RTSH”.
Ekspertja e sigurisë Valbona Zeneli tha në një lidhje direkte se pasojat e kësaj krize janë katastrofike si për njerëzit, ashtu edhe për ekonominë.
“Ajo që po ndodh sot në të gjithë botën mbetet një pikëpyetje shumë e madhe. Kjo krizë është e paprecedentë dhe mund të themi se është kriza më e madhe që së paku ka patur ndonjëherë Bashkimi Evropian. Çdo vend është gjetur i papërgatitur dhe të panjohurat ndryshojnë çdo ditë” – tha Zeneli.
Ajo shtoi se efektet janë të paimagjinueshme për shkak sepse situata ndryshon çdo ditë. Zeneli u shpreh se BE-ja nuk ishte gati fillimisht për t’u përballur me pandeminë, por që javët e fundit ka vepruar shumë shpejt.
“Desha të përmendja një nga fjalitë më thelbësore të kancelares Merkel e cila tha se: Një Europë që nuk mbështet Europën, nuk ësht Europë. Pandemitë janë të njohura, por kanë pasur tensione më të ulëta” – tha Valbona Zeneli.
Duke u ndalur tek akuzat për Kinën, si përgjegjëse për pandeminë, ekspertja tha se në ditët e para nuk u reagua dhe kjo tregohet përmes studimeve.
“Nuk pati një transparencë nga qeveria kineze. Në fillimet e pandemisë pati plot 5 milionë udhëtarë që hynë në Kinë ndërsa kjo e fundit nuk kishte njoftuar për koronavirusin” – u shpreh Zeneli në lidhjen direkte me “Java në RTSH”.