Udhëheqësit globalë kanë rënë dakort të bashkëpunojnë dhe të ndajnë studimet e bëra me njëri tjetrin, në mënyrë që të krijojmë sa më shpejtë një vaksinë kundër koronavirusit.
Por Shtetet e Bashkuara nuk morën pjesë në iniciativën e Organizatës Botërore të Shëndetit. Kjo ishte një tjetër shenjë e izolimit në rritje të Donald Trump në skenën globale.
Takimi i bërë në mënyrë virtuale, u mbajt për të treguar që vendet e pasura nuk do t’i mbajnë të fshehura rezultatet e tyre të hulumtimeve shkencore nga vendet në zhvillim.
Takimi gjithashtu solli një miratim simbolik të organit të Kombeve të Bashkuara, duke kundërshtuar vendimin e Trump për të pezulluar pagesat e SHBA-së dhe për të dënuar udhëheqësit e OBSH, si vartës të partisë komuniste kineze. Kina dhe SHBA kanë akuzuar njëra-tjetrën për dezinformim në lidhje me shpërthimin e koronavirusit.
President i Francës, Emannuel Macron, tha gjatë takimit: “Ne do të vazhdojmë të mobilizojmë të gjitha vendet e G7 dhe G20 në mënyrë që ata ta mbështesin këtë nismë. Dhe shpresoj se do të jemi në gjendje t’i bindim, që të jenë dakort për këtë inisiativë të përbashkët, si Kina ashtu edhe SHBA, sepse kjo do të thotë që lufta kundër Covid-19 është për të mirën e njerëzimit dhe nuk duhet të ketë ndarje për ta fituar këtë betejë”.
Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha: “Ne po përballemi me një kërcënim të përbashkët që mund ta mposhtim vetëm me një qasje të përbashkët. Përvoja na ka treguar që edhe kur mjetet janë në dispozicion, ato nuk kanë qenë njësoj të disponueshme për të gjithë. Ne nuk mund ta lejojmë që kjo të ndodhë”.
Më shumë se 100 vaksina të mundshme janë duke u zhvilluar, dhe gjashtë tashmë janë në prova klinike, sipas Seth Berkley, shefi ekzekutiv i aleancës së vaksinave Gavi.
Misioni amerikan në Gjenevë konfirmoi se nuk do të ketë pjesëmarrje zyrtare të SHBA, por tha se mezi presin rezultatin e takimit të OBSH-së.
Pesë premtimet që u bënë:
-Sigurimi i aksesit në trajtime, teknologji dhe vaksinat e reja të arrijnë në të gjithë botën.
-Angazhimi në një nivel ndërkombëtar për hulumtimin dhe koordinimin e përpjekjeve për trajtimin e pandemisë dhe zvogëlimin e infeksioneve.
-Të merren vendime kolektive për t’iu përgjigjur pandemisë, duke pranuar që përhapja e virusit në një vend mund të prekë të gjitha vendet.
-Mësoni nga përvoja dhe adaptoni përgjigjen globale.
-Të bëhemi përgjegjës për të gjithë botën dhe për komunitetet më të rrezikuara. (Tema)