Nga Mero Baze
Reagimi në rritje iI shumë opozitarëve, kryesisht nga radhët e Partisë Demokratike, ndaj sjelljeve të fundit të Ilir Metës, tregojnë se brenda opozitës, figura e Lulzim Bashës nuk është parë si udhëheqësi i opozitës.
Është e paprecedentë, që një parti e tërë politike, partia më e madhe në opozitë, të angazhohet në një fushatë kaq kritike ndaj një figure opozitare, i cili nuk është as i djathtë dhe as nuk ka peshë të krahasueshme politike me PD. I vetmi shpjegim është se shumë demokratë e kanë parë Ilir Metën, si një krye-opozitar, i cili mund ta nxirrte anijen e tyre të shpuar në breg.
Ky është i vetmi leksion që mund të marrim nga kjo fushatë kritike.
Përpos kësaj, Ilir Meta nuk ka asnjë shmangie nga opozitarizmi i tij, dhe as nga marrëzitë e tij. Por thjesht ai nuk është më njeriu që shumë demokratë kishin projektuar për krye-opozitar.
Dualizmi i figurave opozitare, ose më mire të themi, krijimi i një sozie të re të krye-opozitarit prej Ilir Metës, realisht është vepër e Sali Berishës. Në periudhën e gjatë që ai po përjeton dështimet e Lulzim Bashës, ka mbështetur fort, me gjithë njerëzit e tij, Ilir Metën, në çdo veprim radikal.
Prej verës së vitit të kaluar dhe fillim vjeshtën, kur Lulzim Basha duket se u tërhoq nga kursi i tij radikal, Berisha dhe Meta kanë qëndruar gjatë bashkë për të ndërtuar një figurë të re krye-opozitari, që duhet të tërheqë pas dhe karrocën e Lulzim Bashës.
Ky shpërthim i papritur i luftës ndaj Ilir Metës, ka ardhur pikërisht nga kjo pritshmëri e rritur pa shkak ndaj tij.
Nga ana tjetër, mënyra se si e sulmojnë Ilir Metën demokratët sot, duket sikur ata presin që krye-opozitarin t’ua caktojë Edi Rama.
Nga mënyra se kush nga liderët e opozitës i ka raportet e këqija me Edi Ramën, duket se ata vlerësojnë rëndësinë e asaj figure.
Ky është një budallallëk tjetër opozitar, pasi Edi Rama kështu mund të vendosë ndonjë ditë e “të marrë inat”, Aldo Bumçin dhe ta bëjë kryetar të opozitës. Kjo, pasi Ilir Metën po e marrin inat vetëm se e ka lavdëruar Edi Rama. A thua kaq shumë beson opozita tek sinqeriteti i lavdërimeve të Edi Ramës, sa e kanë bërë fakt të kryer armik, Ilir Metën.
Në vitin e saj të shtatë në opozitë, Partia Demokratike ka si problem kryesor faktin që nuk e ka ndarë mendjen kë ka kryetar.
Së paku në opozitën e parë pas vitit 1997, nuk e kishin këtë dilemë. Kishin vetëm problem votash.
Fakti që demokratët janë shqetësuar nga një firmë e Ilir Metës, mbi një ligj që miratohej dhe pa firmën e tij, dhe po e sulmojnë atë, tregon shumë se sa pak ata besojnë tek Lulzim Basha. Sulmet ndaj Metës në fakt janë shpulla ndaj Bashës.
Tani ata e kanë komplikuar edhë më skemën e të kuptuarit se kë kanë lider opozite. Duhet të shikojnë se kush e ka mirë apo keq me Edi Rmanë, çka i bie që ky i fiundit t’ua caktoj atyre dhe kryetarin.
Ua cakton, se ka problem, por e ka dorën e rëndë kur fut dorën në një thes të zgjedhë diçka.