Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, jep informacion të rëndësishëm për të gjithë qytetarët lidhur me dhimbjen e gjoksit.
Në një komunikim live në “Facebook”, mjeku Brataj tha se çdo dhimbje gjoksi duhet konsideruar si kardiak dhe nuk duhet neglizhuar.
Teksa sqaroi shenjat e para të arrestit kardiak, Brataj theksoi se duhet shkuar menjëherë në spital, pasi nëse kalojnë 10 minuta nga arresti, njeriu pëson dëmtime të pakthyeshme dhe mbetet gjithë jetën në koma.
“Njerëzit nuk duhet ta neglizhojnë dhimbjen e gjoksit. Nga 6 deri në 10 minuta, truri i njeriut fillon të pësojë dëmtime. Kjo çon në rrezik të jetës, por edhe në invalitet shumë të madh. Pas 10 minutash, dëmtimet janë të pakthyeshme, që do të thotë se personi mund të kthehet në jetë, por nuk do të zgjohet asnjëherë, pra do të jetë gjithë jetën në koma. Në një vit, në Shqipëri vdesin 3 mijë njerëz nga dhimbja e gjoksit”, tha Brataj.
Si ta njohim atë?
Para se personi të shkojë në arrest kardiak, ka një periudhë të shkurtër që i shfaqen shenjat, dhe nëse nuk shkon në spital, mund të rrezikojë jetën. Nëse kemi dhimbje gjoksi, sidomos kur zgjat mbi 20 minuta, dhimbje që drejtohet drejt nofullave, shpatullave, qafës, në përqindjen më të madhe është problem kardiak. Djersitje, lodhje, sidomos kur e ndjejmë dhimbjen në qetësi është akoma më e rrezikshme. Çdo gjimbje gjoksi konsiderojeni kardiak. COVID nuk ka lidhje me dhimbjen e gjoksit, ka shenja të tjera. /e.s/